Autobusi i Barcelonës e la Messin në Anfield pas disfatës 4:0

  • 08 May 2019 - 11:26
Autobusi i Barcelonës e la Messin në Anfield pas disfatës 4:0

Pasi e përjetoi një tronditje të thellë në “Anfield”, Lionel Messi nuk e pati mundësinë të largohet nga stadiumi i Liverpoolit me bashkëlojtarët e tij të Barcelonës, pasi që ai u ndal për testet kundër dopingut.

Këtë sezon, Lionel Messi shpresonte se do të kthehet në kulmin e piramidës së futbollit, duke e fituar tripletën me Barcelonën. Por, kjo ëndërr ka marrë fund tani, pasi që Barcelona dështoi në testin kundër Liverpoolit

Gjërat u përkeqësuan edhe më shumë për argjentinasin, i cili u la në Anfield nga autobusi i ekipit të Barcelonës. Sipas emisionit televiziv spanjoll, El Chiringuito, Messi u mbajt në Liverpool për t’i kryer testet kundër dopingut.

Barcelona nuk ishte në humor të mirë për ta pritur argjentinasin dhe për këtë arsye lojtarët e tjerë u larguan menjëherë drejt aeroportit, ndërsa ylli i skuadrës u detyrua të bëjë plane të tjera për t’u kthyer në Barcelonë.

Se sa i zhgënjyer ishte Messi me rezultatin e ndeshjes ishte e vërejtshme edhe nga fytyra e tij, përderisa po kalonte rreth gazetarëve.

Lojtari që i bën testet kundër dopingut zgjidhet në mënyrë rastësore nga të dy skuadrat që u përballen në ndonjë ndeshje.

Liverpooli e siguroi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Barcelonën në ndeshjen kthyese gjysmëfinale me rezultat 4:0 në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Kloppit kishte pësuar disfatë 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në “Camp Nou”.

Pas disfatës në ndeshjen e parë, shumë tifozë kishin menduar se tashmë Liverpooli e kishte humbur një vend në finale të këtij sezoni, mirëpo golat nga Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum e përmbysën rezultatin e përgjithshëm dhe i lanë të tronditur lojtarët e Barcelonës.

Barcelona konsiderohej favorite për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, falë edhe Lionel Messit. Megjithatë, Liverpooli arriti t’i shënojë katër gola për të fituar me rezultat të përgjithshëm 4:3 dhe e siguroi vendin në finalen e këtij sezoni.

Liverpooli do ta zbulojë kundërshtarin e finales sonte, pas përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit në gjysmëfinalen tjetër. Ajaxi po fiton me rezultat 1:0 dhe ndeshjen e sotshme do ta zhvillojë në shtëpi. 

(Kosova Sot Online)