Zbulohet fjalimi i Kloppit që e frymëzoi Liverpoolin për përballjen me Barcelonën

  • 08 May 2019 - 13:40
Zbulohet fjalimi i Kloppit që e frymëzoi Liverpoolin për përballjen me Barcelonën

Qendërmbrojtësi kroat i Liverpoolit, Dejan Lovren, ka zbuluar se Jurgen Kloppi u kishte kërkuar lojtarëve të tij që të tregohen të guximshëm në ndeshjen gjysmëfinale kundër Barcelonës, që u zhvillua mbrëmë.

Dejan Lovren u la në bankën rezervë për të gjithë ndeshjen e Liverpoolit kundër Barcelonës, në të cilën anglezët fituan me rezultat 4:0 dhe e siguruan një vend në finale, pasi që ndeshjen e parë, në Camp Nou, e kishin humbur me rezultat 3:0.

Edhe pse nuk luajti në këtë ndeshje për asnjë minutë, Lovrenit i kishin mbetur në mendje fjalët që trajneri Jurgen Klopp ua kishte thënë lojtarëve të tij para ndeshjes.

“Urime Kloppit. Para ndeshjes, ai e bëri një fjalim të mrekullueshëm. Ai na tha: “Besoni! Vëjeni në mendje se mund ta arrijmë qëllimin tonë”. Kjo ishte diçka që nuk e kishim dëgjuar asnjëherë më parë”, ka thënë Lovren.

“Ai na tha: “Djelmosha, besoni. Një apo dy gola, nëse nuk shënojmë në 15 apo 20 minutat e parë, duhet të keni besim se do të shënojmë në minutat e 65-të, 66-të e të 67-të. Me Anfield pas nesh, më sezoni djelmosha, ne mund ta bëjmë këtë gjë. E kishim bërë kundër Dortmundit dhe mund ta bëjmë edhe sot. Vetëm tregohuni të guximshëm””.

Pas disfatës në ndeshjen e parë, shumë tifozë kishin menduar se tashmë Liverpooli e kishte humbur një vend në finale të këtij sezoni, mirëpo golat nga Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum e përmbysën rezultatin e përgjithshëm dhe i lanë të tronditur lojtarët e Barcelonës.

Barcelona konsiderohej favorite për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, falë edhe Lionel Messit. Megjithatë, Liverpooli arriti t’i shënojë katër gola për të fituar me rezultat të përgjithshëm 4:3 dhe e siguroi vendin në finalen e këtij sezoni.

Liverpooli do ta zbulojë kundërshtarin e finales sonte, pas përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit në gjysmëfinalen tjetër. Ajaxi po fiton me rezultat 1:0 dhe ndeshjen e sotshme do ta zhvillojë në shtëpi. 

(Kosova Sot Online)