Befason Shevchenko: Milan? Ndoshta më takon edhe mua një herë

  • 08 May 2019 - 16:20
Befason Shevchenko: Milan? Ndoshta më takon edhe mua një herë

Andriy Shevchenko, ish-sulmuesi i Milan-it (322 ndeshje, 175 gola) dhe trajneri aktual i Ukrainës, ka dhënë një intervistë për "DAZN", në të cilën ka folur për skuadrën kuqezi dhe mundësinë që të ulet një ditë në stolin e klubit milanez.

"Unë e kam një punë, edhe pse Milan është pjesë e jetës sime, por në këtë moment jam i zënë. Rino, po bën një punë të madhe, vazhdo kështu. Sigurisht, një ditë do të më pëlqente të drejtoja Milan-in: jam shumë i lidhur me klubin dhe tifozët. Pothuajse të gjithë ish-shokët e skuadrës janë trajnerë, shumë kanë drejtuar Milan-in, ndoshta më takon edhe mua një herë".

Ish-sulmuesi ka rrëfyer edhe një anekdotë në lidhje me Alessandro Costacurta-n, me të cilin ka krijua një miqësi të madhe jashtë fushës. "Një ditë, pas dy orësh e gjysmë stërvitje, isha në javën e parë te Milan, iu afrova Billy-t dhe e pyeta: kur fillon stërvitja? Sepse ajo që bëmë ishte taktikë! Për mua taktika ishte një shëtitje, mendoja se stërvitja e vërtetë do të fillonte më mbrapa. Billy është i madh, qeshi dhe më pas ka shkuar dhe ia ka thënë të tjerëve".

Në fund, Sheva ka folur edhe për momentin më të vështirë që ka kaluar te kuqezinjtë: "Një nga momentet më të vështirë ka qenë në vitin tim të tretë te Milan-i, kur erdhi Carlo Ancelotti. Kam pasur disa probleme fizike dhe kur isha gati të kthehesha skuadra po merrte rezultate të mira me një skemë tjetër, me një sulmues".

"Qëndrova jashtë për tre muaj dhe në momente të tilla është e rëndësishme të flasësh me trajnerin. Carlo më motivonte, më shpjegonte se në atë moment nuk kishte vend për mua, por se momenti im do të vinte dhe se duhej të isha gati. Do të luanim një ndeshje të rëndësishme me Real Madrid dhe ai më tha dy ditë para takimit se do të luaja".

"Unë isha gati, i motivuar dhe e përgatitëm ndeshjen shumë mirë, shënova, gjeta më shumë hapësirë pasi Carlo ndryshoi skemën. Filluam të luajmë me dy sulmues dhe vitin pasues fituam Champions-in", ka thënë Shevchenko.

(Kosova Sot Online)