De Jong: Rrugëtimi ynë ishte si përrallë me fund të hidhur

  • 09 May 2019 - 10:28
De Jong: Rrugëtimi ynë ishte si përrallë me fund të hidhur

Frenkie de Jongu beson se Ajaxi e meritonte të kalonte në finale të Ligës së Kampionëve. Rrugëtimin e skuadrës së tij ai e ngjasoi me përrallat me fund të hidhur.

Rrugëtimi i Ajaxit në këtë sezon të Ligës së Kampionëve ka qenë i jashtëzakonshëm. Përkundër që futbolli në Evropë është i zhytur në transferime shumë të shtrenjta dhe paga të larta, klubi holandez e arriti gjysmëfinalen me lojtarë të rinj dhe të lirë

Skuadra e Erik ten Hag e mposhti edhe Juventusin, edhe Real Madridin, në rrugëtimin e tyre prej katërshes së fundit të Ligës së Kampionëve, mirëpo mbrëmë ata u eliminuan nga Tottenhami në një tjetër natë magjike në Evropë.

“Mendoj se e merituam ta arrijmë finalen për shkak të mënyrës se si kemi luajtur në këtë garë, por edhe sonte në pjesën e parë. Por, edhe Tottenhami e meritoi finalen me paraqitjen në pjesën e dytë të ndeshjes”, ka thënë De Jong, i cili nga sezoni i ardhshëm do të luajë për Barcelonën.

“Mendoj se ne e shijuam çdo gjë që bëmë këtë sezon në Ligën e Kampionëve, ishte si një përrallë. Fatkeqësisht, ishte një përrallë me fund të hidhur. Është shumë zhgënjyese ta humbësh finalen në sekondat e fundit”.

Ajaxi e mbylli pjesën e parë duke fituar me rezultat 2:0, pasi golat e shënuara nga Matthijs de Ligt dhe Hakim Ziyech ia dha atyre epërsinë me rezultat të përgjithshëm 3:0.

Mirëpo, skuadra e Mauricio Pochettinos i mblodhi forcat për pjesën e dytë të kësaj ndeshjeje dhe arriti ta sigurojë fitoren me rezultat 3:2, përkundër që kjo gjë dukej shumë e pamundur pas lojës në pjesën e parë.

Lucas Moura e shënoi një het-trik të paharrueshëm. Goli i tij i tretë, që ia siguroi londinezëve kualifikimin në finale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, erdhi në minutën e 96-të të ndeshjes, vetëm disa momente para se të përfundonte ndeshja.

Sapo gjyqtari e sinjalizoi fundin e ndeshjes, lojtarët e Tottenhamit ranë në fushë dhe Pochettino filloi të qante menjëherë pasi e përshëndeti trajnerin e kundërshtarëve, Ten Hag.

Tani, Tottenhami do të takohet me Liverpoolin në finalen angleze të Ligës së Kampionëve, e cila do të zhvillohet më 1 qershor në stadiumin e Atletico Madridit, “Wanda Metropolitano”. 

(Kosova Sot Online)