Pochettino shpërthen në lot gjatë intervistës pas ndeshjes me Ajaxin

  • 09 May 2019 - 12:02
Pochettino shpërthen në lot gjatë intervistës pas ndeshjes me Ajaxin

Mauricio Pochettino jo vetëm që qau në fushë pas fitores tronditëse të Tottenhamit ndaj Ajaxit, mirëpo shpërtheu në lot edhe gjatë intervistës pas ndeshjes, përderisa po e jepte një mesazh emocional.

Tottenhami e siguroi një vend në finale të Ligës së Kampionëve, përkundër që nuk kishte transferuar asnjë lojtar gjatë dy afateve kalimtare të kaluara. Kjo arritje e emocionoi mjaft shumë trajnerin Mauricio Pochettino

Skuadra e tij e përmbysi rezultatin në mënyrë dramatike kundër Ajaxit mbrëmë dhe siguroi fitore me rezultat 3:2. Lucas Moura e kompletoi het-trikun e tij në momentet e fundit të lojës së mbrëmshme.

Duke folur për televizionin anglez, BT Sport, pas ndeshjes kundër Ajaxit, Pochettino nuk arriti t’i përmbajë emocionet.

“Ne po flisnim para ndeshjes në një takim dhe thamë se kur punon, e ndien dashurinë. Nuk është për shkak të stresit, por për shkak të pasionit. Mendoj që ndeshja kundër Manchester City dhe kjo sonte, është e mrekullueshme”, u shpreh Pochettino.

“Tifozët dhe njerëzit që nuk janë nga Ajaxi… ne luajtëm mirë dhe mendoj se ishte kënaqësi ta shikosh një ndeshje të tillë. Emocionet ishin shumë të vështira edhe për ne”.

“Mendoj se të garosh në këtë nivel, në një garë magjike… kjo gjë mund të ndodhë dhe natyrisht që unë jam mirënjohës që jam trajner dhe që jam pjesë e futbollit dhe përjetoj momente të tilla”.

“Kjo është për familjen time, është edhe për ta, njerëzit që na mbështesin në momente të tilla. Kjo është për ta – Faleminderit, kemi nevojë për njerëz si ju”.

Tani, Tottenhami do të përballet me Liverpoolin në finale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, e cila zhvillohet më 1 qershor në stadiumin e Atletico Madridit, “Wanda Metropolitano”. 

(Kosova Sot Online)