Sarri i do dy lojtarë të rinj, përkundër dënimit të FIFA-s

  • 09 May 2019 - 12:32
Sarri i do dy lojtarë të rinj, përkundër dënimit të FIFA-s

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, ende po shpreson se do të mundë t’i transferojë dy futbollistë në skuadrën e tij gjatë afatit kalimtar të verës, përkundër që dënimi i FIFA-s ia pamundëson klubit anglez transferimin e lojtarëve në dy afatet e ardhshme kalimtare.

Në mars të këtij viti, FIFA ia ndaloi Chelseat të transferojë lojtarë të rinj për dy afatet e ardhshme kalimtare, domethënë afatin kalimtar të kësaj vere dhe afatin kalimtar të janarit 2020

Chelsea e apeloi vendimin në Gjykatën e Apelit në FIFA, mirëpo organi qeverisës i futbollit botëror nuk pranoi ta ndryshojë vendimin. Tani, klubi londinez është ankuar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Transferimi i Christian Pulisicit nga Dortmundi tashmë është regjistruar, pasi që Chelsea e arriti marrëveshjen me klubin gjerman dhe lojtarin amerikan gjatë afatit kalimtar të janarit. Mirëpo, trajneri Sarri dëshiron të transferojë edhe lojtarë të tjerë.

“Unë nuk besoj në taktikën që t’i blesh dhjetë lojtarë. Mendoj se ne duhet t’i transferojmë vetëm një apo dy lojtarë. Është shumë e vështirë ta mbyllësh diferencën e cilësisë mes klubeve”, ka thënë Sarri.

“Ne duhet të punojmë, ndoshta duhet të bëjmë diçka gjatë afatit kalimtar. Nuk është e lehtë sepse niveli i top dy klubeve është shumë, shumë i lartë. Është shumë e vështirë të përmirësohesh menjëherë. Ne jemi ekip i mirë dhe kemi nevojë vetëm për një apo dy lojtarë”.

FIFA e ndalon transferimin e lojtarëve nën 18-vjeçar në vende të huaja nëse ata nuk i plotësojnë disa kritere specifike. Këto rregulla u caktuan në mënyrë që të mbrohen fëmijët nga rreziku dhe nga trafikimi.

Një lojtar nën moshën 18-vjeçare mund të transferohet jashtë vendlindjes vetëm nëse:

1. Prindërit e tij janë transferuar gjithashtu, për arsye që s’kanë lidhje me futbollin;
2. Që të dy klubet janë në Bashkimin Evropian dhe lojtari është mes moshën 16 dhe 18-vjeçare. Klubi duhet t’ia plotësojë lojtarit edhe disa kritere në lidhje me shkollimin, stërvitjen, kushtet e jetës dhe mbështetjen emocionale; dhe
3. Ata jetojnë më pak se 100 kilometra larg klubit.

Chelsea e ka mohuar ta ketë shkelur ndonjërën prej këtyre rregullave, përkundër që FIFA zbuloi parregullsi në transferimin e 29 lojtarëve nga gjithsej 92 raste të hetuara. Përveç dënimit për afate kalimtare, Chelsea u gjobit me 460 mijë funta.

(Kosova Sot Online)