Coutinho, problemi i Barcelonës me pagë 13.5 milionë euro

  • 09 May 2019 - 12:36
Coutinho, problemi i Barcelonës me pagë 13.5 milionë euro

Philippe Coutinho është bërë një problem për Barcelonën. Ajo që dihej para rënies në Ligën e Kampionëve vetëm sa u konfirmua gjatë disfatës 4:0 në Anfield, pasi që braziliani u zhduk në fushë më shumë sesa zakonisht.

Barcelona dëshiron ta sjellë një sulmues të frikshëm dhe të fuqishëm në skuadër, mirëpo këtë gjë mund ta arrijë vetëm nëse e shet brazilianin Philippe Coutinhon, shkruan Marca

Klubi do të tentojë ta shesë atë dhe t’i përdorë para e fituara nga kjo shitje për të investuar edhe më shumë në skuadër. Shitja e Coutinhos do t’i largonte edhe 13.5 milionë euro nga shuma që katalonasit paguajnë për pagat e lojtarëve.

Plani i Barcelonës për afatin kalimtar të verës e tregon qëllimin e katalonasve: të investohet me qëllim që sezonet e ardhshme të jenë edhe më të suksesshme sesa sezoni aktual.

Pasi që Camp Nou është kthyer kundër Coutinhos, as deklaratat e Lionel Messit në mbështetje të brazilianit s’mund ta ndryshojnë fatin e tij në Barcelonë.

              

Coutinho ishte mjaft mbresëlënës për gjysmësezoni, mes janarit dhe majit të vitit 2018, kur i shënoi dhjetë gola dhe i fitoi dy tituj. Por, tani braziliani po përballet me shumë kritika për paraqitjet e tij.

Në La Liga, ai e ka shënuar vetëm një gol në 22 paraqitje, ndërsa në Ligën e Kampionëve shënoi kundër Manchester Unitedit, Lyonit dhe Tottenhamit.

Ai është lojtari më i shtrenjtë në histori të klubit katalonas, mirëpo Coutinho ka dështuar në Barcelonë dhe tani pritet që të largohet nga ty. Hapi i tij i radhës besohet se do të jetë në Premierligë, ku i kaloi pesë sezone e gjysmë me Liverpoolin, me 201 ndeshje dhe 54 gola. 

(Kosova Sot Online)