“Judoinside” kujton kohën kur Majlinda Kelmendi e përfaqësonte Shqipërinë, jo Kosovën

  • 09 May 2019 - 13:23
“Judoinside” kujton kohën kur Majlinda Kelmendi e përfaqësonte Shqipërinë, jo Kosovën

Uebsajti i famshëm i xhudos, Judo Inside, e ka publikuar një artikull të veçantë për kosovaren Majlinda Kelmendin, me rastin e dhjetëvjetorit të debutimit të saj, kur e nisi karrierën me medalje të artë.

Kategoria e peshave nën 52 kilogramë gjithmonë është dominuar nga atletët aziatikë. Që nga Lojërat Olimpikë të vitit 2004 në Athinë, gratë aziatike i fituan titujt botërorë dhe Olimpikë, Majlinda Kelmendi e Kosovës e theu këtë traditë, duke i fituar tre tituj të mëdhenj, shkruan JudoInside

Kelmendi i mbushi 28 vjet dhe është duke punuar që të kthehet fuqishëm në garën për këta tituj të rëndësishëm. Dhjetë vjet në nivelin më të lartë, Majlinda Kelmendi i katapultoi sportes në Kosovë.

Para dhjetë vjetëve, ne nuk e njihnim me të vërtetë Majlinda Kelmendin nga Kosova. Në rregull, e kishim parë emrin e kosovares së vogël disa herë në turne të vogla në Zvicër ose më afër shtëpisë, në Sarajevë. Por, në vitin 2009, karriera e saj mori një kthesë të madhe me paraqitjen me Kampionatin e Botës për seniorë. Kjo është e rrallë për një vend të ri si Kosova, që ende po përballej me pasojat e luftës në Jugosllavi.

Normalisht, ne do t’i kishim njohur talentet e rinj në turne evropiane për kadetë, por Kelmendi ishte ende nën radar. Natyrisht, ajo nuk arriti të lë përshtypje në Kampionatin e Botës për seniorë në Rotterdam, pasi që ishte vetëm i dyti vit që ajo po garonte në kategorinë nën 52 kilogramë.

Por, ajo i integroi në sistemin e saj çdo përballje që e pati dhe përkundër që nuk e fitoi asnjë garë zyrtare për kadetë në Evropë, ajo garoi në nivelin për juniorë dhe debutoi me një titullin e kampiones së Evropës për juniorë në Yerevan të Armenisë.

Ky ishte hapi i parë serioz i këtij diamanti të rrallë që po e përfaqësonte Shqipërinë, pasi që federatave iu nevojitën edhe gjashtë vjet të tjera para se ta pranonin Kosovën në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos.

E gjitha kjo ishte për shkak të arritjeve të Kelmendit, trajnerit Driton Kuka, presidentit të Federatës së Xhudos në Kosovë, Betim Hasanit, dhe presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer.

Gjithçka filloi me paraqitjet e mrekullueshme të Majlinda Kelmendit në garën për juniorë, pasi që titulli i kampiones së Evropës u ndoq nga titulli botëror për juniorë në Paris. Majlinda Kelmendi kishte qëllim të qëndronte, të fitonte dhe të ishte e rëndësishme për vendin e saj krenar.

Njohja e Kosovës

Kjo rezultoi në tre tituj evropiane, dy tituj botërorë dhe një medalje të artë të Lojërave Olimpike në Rio 2016. Por, kishte vlerë shumë më shumë, pasi që e ngriti Kosovën drejt njohjes. Ajo e ngriti flamurin e vendit të saj në Rio dhe përkundër lëndimeve, i mbështeti edhe të gjithë talentet e tjera nga Kosova. Ajo shkon gjithkund për t’i mbështetur “vëllezërit dhe motrat” që do të garojnë në Lojërat Olimpike Tokyo 2020.

Dhjetë vjet pas titullit të parë botëror, Majlinda Kelmendi synon të kualifikohet për Tokyo 2020. Ajo i mbushi 28 vjet sot dhe përkundër që gara është e zjarrtë, katër-herë fituesja në Paris dëshiron ta vulosë kthimin e saj me suksese. Ajo fitoi në tri turnetë e fundit të saj në turneun botëror të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

(Kosova Sot Online)