Ndodhi në Spanjë, energjia kushtoi 20.000% më shtrenjtë gjatë ndeshje Liverpool-Barça

  • 09 May 2019 - 14:39
Ndodhi në Spanjë, energjia kushtoi 20.000% më shtrenjtë gjatë ndeshje Liverpool-Barça

Mbrëmjen e së martës, rreth orës 21:00, që përkonte me fillimin e ndeshjes së kthimit gjysmëfinale të Champions-it, midis Liverpool dhe Barçës, një termocentral pësoi defekt të rëndë, duke shkaktuar një situatë serioze elektrike në Spanjë, siç raportohet nga RAC1. Mungesa e këtij burimi të energjisë elektrike ishte gati të "shembte" të gjithë sistemin. Dhe të mendosh se ishte koha, kur kërkesa ishte më e lartë, për shkak të numrit të madh të njerëzve, që donin të shihnin nga televizori ngjarjen sportive në "Anfield".

Dalja jashtë loje e termocetralit e zvogëloi ndjeshëm energjinë elektrike në dispozicion. Zgjidhja e aplikuar nga “Red Eléctrica” për të vazhduar sigurimin e energjisë elektrike të nevojshme, pra për të mbuluar nevojat, kërkoi aktivizimin e protokollit të emergjencës. Një zgjidhje që ka një kosto shumë të lartë, deri në 20.000% më shumë se çmimi normal i energjisë.

Megavat-i, që zakonisht kushton 50 euro në orë, në këtë rast emergjence ka pasur çmimin e 10.000 eurove për disa minuta. Kostoja shtesë, e shkaktuar nga kriza në rrjet, është përgjegjësi e “Red Eléctrica” dhe e kompanive të tjera, të cilat duhet të mbulojnë nevojat e klientëve. Duke qenë se kjo situatë nuk ka precedent në Spanjë, nuk dihet nëse rrethana në fjalë do të ndikojë në faturat e energjisë elektrike të qytetarëve.

(Kosova Sot Online)