Gerrardi zbulon pse u largua nga stadiumi para fundit të ndeshjes Liverpool – Barcelona

  • 10 May 2019 - 09:13
Gerrardi zbulon pse u largua nga stadiumi para fundit të ndeshjes Liverpool – Barcelona

Legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, ka zbuluar se ai ishte larguar nga “Anfield” para fundit të ndeshjes kundër Barcelonës pasi që nuk mund t’i përmbante emocione gjatë kohës sa ish-klubi i tij tentonte ta mbante rezultatin e lojës 4:0.

Steven Gerrard e mori vajzën e tij, Lourdes, për ta shikuar drejtpërdrejt nga stadiumi ‘Anfield” ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, mes Liverpoolit dhe Barcelonës.

Mirëpo, për shkak se momentet e fundit të ndeshjes ishin tejet dramatike dhe të tensionuara, kur Liverpooli po tentonte ta mbante rezultatin 4:0, Gerrardi frikësohej se do ta lëshonin nervat dhe u largua nga stadiumi.

“E kisha të vështirë t’i kontrolloj emocionet. U detyrova të largohem kur rezultati i ndeshjes ishte 4:0. E kisha vajzën time shtatëvjeçare me vete dhe e përdora këtë si arsyetim për t’u larguar, duke thënë se ajo duhet të shkojë në shkollë nesër’.

“Por, në të vërtetë ishte për shkak të nervave të mia. Zoti e di se çfarë ishin duke përjetuar lojtarët. Nuk mendoj se do të kisha mundur ta përballoj ta shikoj Coutinhon, Suarezin apo Messin duke ma thyer zemrën”.

“Kështu që vendosa të largohem nga ata para se gjërat të shkonin keq”.

Liverpooli e siguroi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Barcelonën në ndeshjen kthyese gjysmëfinale me rezultat 4:0 në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Kloppit kishte pësuar disfatë 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në “Camp Nou”.

Pas disfatës në ndeshjen e parë, shumë tifozë kishin menduar se tashmë Liverpooli e kishte humbur një vend në finale të këtij sezoni, mirëpo golat nga Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum e përmbysën rezultatin e përgjithshëm dhe i lanë të tronditur lojtarët e Barcelonës.

Barcelona konsiderohej favorite për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, falë edhe Lionel Messit. Megjithatë, Liverpooli arriti t’i shënojë katër gola për të fituar me rezultat të përgjithshëm 4:3 dhe e siguroi vendin në finalen e këtij sezoni.

Liverpooli do të takohet me Tottenhamin në finalen e këtij sezoni, e cila do të zhvillohet më 1 qershor në stadiumin e Atletico Madridit, Wanda Metropolitano. 

(Kosova Sot Online)