Të pasurit nuk ngopen kurrë, UEFA synon të vrasë klubet e varfra!

  • 10 May 2019 - 12:05
Të pasurit nuk ngopen kurrë, UEFA synon të vrasë klubet e varfra!

Ajo që ndodhi këtë sezon në Champions League ishte një ndër ngjarjet më të rralla dhe të pabesueshme në futbollin modern: Ajax i Amsterdamit, një klub legjendar nga kampionati holandez, eliminoi Real Madridin dhe Juventusin, duke i shkuar pak sekonda larg finales së madhe.

Udhëtimi i Ajax filloi verën e shkuar, në turet kualifikuese, dhe u ndal në minutën 96 të mërkurën, modeli dhe ëndrra e çdo klubi të vogël në Champions League, aty ku nuk ka më vlerë historia (Ajax është 4 herë kampion Europe!), por vetëm buxheti.

Sikur të mos mjaftonin miliarda euro fitime këto vitet e fundit, UEFA ka përpara një propozim që do të vriste përfundimisht klubet e varfra dhe do të shtonte milionat për klubet më të pasur.

Image

Ndonëse zyrtarë të UEFA-s pretendojnë se kanë shumë propozime në tryezë, The New York Times ka siguruar dokumentet ku pasqyrohet vetëm një plan real. Nëse aprovohet, ky plan do e transformonte Champions League në një kompeticion të dominuar nga një grup i vogël klubesh elitare dhe do të linte në dispozicion shumë pak vende për skuadrat e 55 federatave nëpër Europë.

Premier League dhe kampionati spanjoll, por edhe Bundesliga dhe Ligue 1, janë entuziastë, ose më saktë klubet e pasur aty, nga Manchester City deri te PSG, duan që propozimi për formatin e ri të aprovohet, pa e vrarë mendjen se projekti që po përflitet prej një viti është një kërcënim i tmerrshëm për kampionatet vendase dhe shumicën e klubeve në Evropë.

Nëse aprovohet, ky projekt do bënte që Champions League t'i bënte pa vlerë kampionatet vendase, duke thelluar frikshëm ndarjen mes pak klubeve më të pasur dhe qindra klubeve që do të shërbejnë sa për mbushje në futbollin europian.

Image

Sipas propozimit, turneu i ri, që do të nisë në 2024, do të lejojë 21 klube nga 32 në total që të kualifikohen automatikisht për në Champions League, çka do të garantonte dhjetëra miliona euro për disa klube, që do ta nisnin dukshëm në avantazh ndaj çdo klubi tjetër.

Reali, Barcelona e Juventusi kanë ndër klubet që po këmbëngulin që propozimi të aprovohet, pasi duan të kenë më shumë siguri financiare ndër vite.

Shoqata e Klubeve Europiane (ECA), që drejtohet nga presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, po këmbëngul fuqimisht për kompeticionin e ri, ndërsa ndër kundërshtarët e mëdhenj është presidenti i La Ligas, Javier Tebas: "Na kanë paraqitur një projekt konkret zhvilluar nga UEFA, në bashkëpunim dhe pak klube super të pasur, që duan të shkatërrojnë kompeticionet vendore dhe të mbyllin rubinetin e të ardhurave nga UEFA për shumicën e klubeve në Evropë".

Image

Ndonëse projekti parashikon që Champions League të mbetet me 32 ekipe, si deri më sot, UEFA kërkon të ndryshojë formatin, në mënyrë që të kemi 4 grupe me nga 8 klube, me 4 ekipet e para në çdo grup që do kalonin në 16-she. Në këtë mënyrë, do shtoheshin ndeshjet mes emrave të mëdhenj, duke kaluar edhe në fundjavë, që historikisht ka qenë e rezervuar për kampionatet.

Kampionët nga liga më të vogla, si Holanda, Portugalia, Belgjika dhe shumë vende të tjera, si dhe emra të mëdhenj e me traditë në vendet e vogla të Europës, do kalonin në kategorinë e dytë të Champions League, me 32 ekipe, ose në kategorinë e tretë, me 64 ekipe.

Skuadrat mund të ngjiten dhe të zbresin nga një kategori në tjetrën, por natyrisht thela më e madhe do qëndronte te kategoria e parë, VIP, ku vetëm 4 ekipe do kenë mundësi të ngjiten çdo sezon.

Frika është e justifikuar: kampionatet vendore do të kalonin në plan të dytë apo të tretë, duke bërë që mediat, sponsorët dhe tifozët t'i braktisnin totalisht, ndërsa klubet mesatare dhe të vogla kanë frikë se nuk do e kenë më kurrë shansin të përballen me ndonjë nga klubet legjendare të kontinentit.

Pronari i St.Étienne (10 herë kampion France), Bernard Caiazzo, e thotë qartë: "Synimi i futbollit është që t'u japë lumturi tifozëve dhe lumturi do të thotë të kesh një shans për fitore, ndaj çdo rivali në planet. St.Étienne ka histori të madhe, por nuk është më në elitën e futbollit për shkak të fuqisë së vogël financiare. Pas lajmeve të fundit, edhe investitorët që donin të afroheshin, tani nuk na i hedhin më sytë. Për çfarë do investojnë, kur nuk do ndesheshim kurrë me ekipet e mëdha, edhe nëse dalim të katërtët në Francë?".

(Kosova Sot Online)