Edhe Zvicra mburret me Xhakën e Shaqirin

  • 10 May 2019 - 14:29
Edhe Zvicra mburret me Xhakën e Shaqirin

Mediat zvicerane e kanë shprehur mburrjen e tyre për arritjen në finale të Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës të dy futbollistëve që e përfaqësojnë këtë vend, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka

Futbollistët shqiptarë po lënë gjurmë në futbollin evropian. Përpos shqiptarëve, me ta po mburren edhe shtetet tjera.

Më saktësisht, zviceranët po mburren me arritjen në finale të Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës me Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën.

Të dy futbollistët shqiptarë e përfaqësojnë Zvicrën dhe mediat “Helvetike” shkruajnë me krenari për këtë arritje të madhe të dy lojtarëve.

“Falë Shaqirit e Xhakës, Zvicra përfaqësohet këtë vit në të dyja finalet e kupave evropiane. Shaqiri me Liverpoolin në Ligën e Kampionëve dhe Xhaka me Arsenalin në Europa League. Të dy po e përmirësojnë imazhin e futbollit zviceran. Ata po na zbardhin fytyrën jashtë vendit”, ka shkruar mediumi zviceran “bluewin.ch”.

Madje, ata mund të përballen në mes vete edhe në Superkupën e Evropës, në rast se Liverpooli e fiton Championsin dhe Arsenali Europa Leaguen.

Duhet cekur se tek Arsenali luan edhe futbollisti tjetër shqiptar, Shkodran Mustafi.

(Kosova Sot Online)