Bottas nuk heq dorë nga ëndrra, më i shpejti në provat e lira në Barcelonë

  • 10 May 2019 - 17:00
Bottas nuk heq dorë nga ëndrra, më i shpejti në provat e lira në Barcelonë

Valtteri Bottas, kryesuesi i renditjes botërore të Formula 1 këtë sezon ka qenë më i shpejti sot pasdite në përfundim të dy sesioneve të para të provave të lira. Këtë të diel, në Barcelona, zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Spanjës, aty ku makina Mercedes duket sërish favorite.

Të dy pilotët e kësaj skuadre sot ishin më të shpejtë në pistë dhe zunë dy vendet e para gjatë provave të lira. Bottas ndali kronometrin në 1’17”284, duke lënë pas me 49 të mijëtat më shumë Lewis Hamilton.

Pas tyre u klasifikuan dy makinat Ferrari, me Charles Leclerc që u rendit në vendin e tretë me 3 të dhjetat më shumë. Ndërsa i katërti u klasifikua Sebastian Vettel. Shumë larg makina Red Bull e Max Verstappen, në vendin e pestë me gati 8 të dhjetat më shumë.

Të shtunën, në orën 15:00, do të zhvillohen provat zyrtare në pistën katalanase, ndërsa të dielën, në orën 15:10 do të zhvillohet gara e Spanjës, e pesta sezonale në Formula 1.

Image

(Kosova Sot Online)