Lajmet tuaja më argëtojnë, të ardhmen e di prej 6 muajsh!

  • 11 May 2019 - 14:09
Lajmet tuaja më argëtojnë, të ardhmen e di prej 6 muajsh!

"Javën e ardhshme do të takohem me presidentin dhe do të bëjmë bilancin e këtij sezoni, si dhe do të përgatitemi për atë që do të vijë". Këto janë fjalët e Allegrit, në një konferencë shtypi para ndeshjes Roma-Juventus. Pra, trajneri bardhezi përmbys situatën e përvijuar nga zërat e medias, që shkruajnë për një divorc mes palëve.

Madje, ai bën edhe shaka me gazetarët, kur thotë: "Gjërat që u thanë dhe u shkruajtën këtë javë më bëjnë të argëtohem. Ne e mbyllëm kampionatin një muaj më parë dhe do të flasim me presidentin për çdo gjë, siç kemi bërë çdo vit. Para ndeshjes me Ajax e kisha njoftuar presidentin Agnelli se do të qëndroja, tani na mbetet të takohemi dhe të flasim".

I pyetur nëse ndihet keq për mjedisin e krijuar nga këto thashetheme, Max Allegri shton: "Unë jam mirënjohës ndaj stafit dhe klubit për punën që kemi bërë. Natyrisht, nuk mund t'iu pëlqej të gjithëve. Futbolli është i përbërë nga rezultatet dhe puna e përditshme. Në këto 5 vite kemi bërë një punë të mirë, gjë për të cilën jam i kënaqur".

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, për këtë arsye, Allegri nuk pranon të bëjë një minibilanc paraprak të sezonit që përfundoi: “Nesër është ndeshja me Romën, të mendojmë për këtë dhe të luajmë mirë. Pastaj presim Atalantan në shtëpi dhe tifozët që do të na shohin duhet të argëtohen. Ne kemi rikuperuar Alex Sandro, Dybala, Bentancur dhe Emre Can".

Allegri duket shumë i qetë në konferencë, pasi ka pranuar se javën e ardhshme do të ketë takimin e shumëpritur me presidentin Agnelli: "Unë e kam në mendje prej 6 muajsh se çfarë duhet të ndodhë, nëse ekipi duhet të rinovohet, por nuk po jua them. Ne flasim rregullisht me presidentin dhe mendojmë për gjërat teknike, që unë tashmë i kam qartësuar prej muajsh, jo sot. E kemi parashikuar takimin me Angelli para fundit të sezonit dhe do të flasim për gjithçka".

Po situata e Dybala, Cancelo dhe Bentancur, cila është? Allegri përgjigjet: "Paulo kthehet nga lëndimi dhe do të luajë nga fillimi. Pozicioni i Dybala ka qenë gjithmonë i njëjtë, nga fillimi deri në fund. Bentancur, nga ana tjetër, duhet të përmirësojë pozicionimin në fushë, pasimet dhe asistet e tij. Ai ka të gjithë kohën dhe mundësinë për ta bërë këtë, sepse i përket datëlindjes 1997. Cancelo është përmirësuar, që kur arriti këtu, dhe ka pasur një sezon të mirë. Ne kemi shumë të rinj, me të cilët mund të rritemi".

Image

(Kosova Sot Online)Max Allegri e përfundon konferencën duke folur për marrëdhëniet me klubin dhe presidentin: "Me Agnelli kam një marrëdhënie të shkëlqyeshme, plot respekt të ndërsjellë dhe sinqeritet. Kjo është gjëja më e rëndësishme, për të arritur rezultate të mëdha".