Ander Herrera përfundimisht do të largohet nga Manchester United

  • 11 May 2019 - 15:29
Ander Herrera përfundimisht do të largohet nga Manchester United

Herrera do të luajë këtë fundjavë ndeshjen e fundit me fanellën e Manchester United. Ai pritet të transferohet te PSG-ja në Francë.

“Djajtë e Kuq”, përmes një postimi në rrjetet sociale në “Tëitter”, kanë bërë të ditur se Ander Herrera po luan sezonin e fundit me Manchester Unitedin.

Në fakt, ndeshja e së dielës kundër Cardiff City në “Old Trafford”, do të jetë e fundit për Herreran, ku edhe do të përshëndetet me tifozët e “Djajve të Kuq”.

United ka publikuar një video në “Twitter” ku Herrera përshkruan pesë vitet e kaluara te klubi nga “Old Trafford”, dhe falënderon tifozët për mbështetjen.

“Zemra ime është e kuqe, e dija që nga dita e parë që luajta këtu dhe në momentin që fillova ta veshi fanellën”, shprehet spanjolli në një video lamtumire të lëshuar nga klubi.

“Një klub me mijëra tifozë që respektojnë dhe kujtojnë të gjithë lojtarët që japin gjithçka. U ndjeva i veçantë kur dëgjova tifozët të thërrisnin emrin tim. U ndjeva krenar kur tifozët vendosën të isha pjesë e kësaj historie të pabesueshme”.

“Sa herë që përfaqësoja këtë klub, në çdo ndeshje, në fitore dhe humbje, madje edhe kur nuk munda të ndihmoja nga stoli, e kam kuptuar se çfarë do të thotë ky klub. Do t’i mbaj mend pothuajse secilën prej afër 200 ndeshjeve që i kam luajtur me këtë fanellë, sepse duke luajtur për klubin më të madh në Angli ka qenë një nder i vërtetë”.

“Faleminderit për këto pesë vite të mrekullueshme”.

Herrera është pjesë e Manchester United që nga viti 2014, kur u transferua nga Athletic Bilbao.

Ai është paraqitur në 189 me Unitedin dhe ka shënuar 20 gola.

Raportohet se Herrera ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare me PSG-në dhe do të fitojë 8 milionë euro në sezon – kjo pritet të konfirmohet pasi të përfundojë sezoni.

(Kosova Sot Online)