Shpërthen menaxheri i Bale, pasi Zidane e lë në shtëpi përsëri uellsianin: Turp

  • 12 May 2019 - 09:03
Shpërthen menaxheri i Bale, pasi Zidane e lë në shtëpi përsëri uellsianin: Turp

Jonathan Barnett, menaxheri i Gareth Bale, ka reaguar ndaj vendimit të Zinedine Zidane për ta lënë uellsianin jashtë skuadrës së Real Madridit për ndeshjen e dytë radhazi, duke këmbëngulur se është e turpshme që klienti i tij nuk po ka mundësi të luajë më.

29-vjeçari nuk u ftua për ndeshjen e parafundit të Real Madridit kundër Real Sociedadit të dielën në La Liga dhe nuk ishte ftuar as në ndeshjen e javës së kaluar, të cilën Madridi e fitoi 3:2 ndaj Villarrealit

Vendimi i fundit për ta lënë Bale jashtë skuadrës vjen pas një lajmi nga gazeta spanjolle “AS”, që pohon se Zidane është i vendosur ta shesë ish-yllin e Tottenhamit këtë verë.

Më parë, menaxheri i Bale ka sugjeruar se kalimi i uellsianit në Premierligë këtë verë është gjë e mundshme.

Barnett e ka shprehur zhgënjimin e tij për Goal që klienti i tij nuk po luan më rregullisht në javët e fundit, por shpreson se ai do të mbetet në Madrid.

“Është e turpshme që Bale nuk po luan”, tha Barnett për Goal.

“A duhet të luajë më shumë ai pasi u la jashtë skuadrës në dy ndeshjet e fundit? Mund vetëm të shpresoj se ai do të vazhdojë me Real Madridin. Por, ky vendim i takon Zidanit”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)