Van Dijk s’heq dorë nga titulli në ditën finale: Gjithçka është e mundur

  • 12 May 2019 - 11:14
Van Dijk s’heq dorë nga titulli në ditën finale: Gjithçka është e mundur

Virgil van Dijk nuk ka hequr dorë nga shpresa për ta kurorëzuar një sezon fantastik të Liverpoolit me titull të Premierligës në Anfield të dielën.

Liverpooli do ta zhvillojë ndeshjen e fundit të sezonit në Premierligë ndaj Wolves sot pasdite në Anfield, por fati i titullit është në duart e Manchester City

Nëse skuadra e Pep Guardiolës fiton ndaj Brighton, atëherë do ta mbrojë titullin, por duke parë se çfarë ndodhi në mesjavë në Ligën e Kampionëve, kur Liverpooli shënoi fitore historike 4:0 ndaj Barcelonës në gjysmëfinale, Van Dijk ka paralajmëruar se gjithçka është e mundur.

“Mund të ndodh, por duhet të jemi realist. Të gjithë presin që City të fitojë për shkak të mënyrës sesi ka luajtur gjithë sezonin”, tha Van Dijk.

“Ama kurrë nuk i dihet dhe e vetmja gjë që ne mund ta bëjmë është të fitojmë ndaj Wolves, sepse edhe kjo është një detyrë e vështirë po ashtu”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)