Sa trofe të Premierligës do t’i kishte fituar Liverpooli me 97 pikë?

  • 12 May 2019 - 22:46
Sa trofe të Premierligës do t’i kishte fituar Liverpooli me 97 pikë?

Humbja e titullit në këtë mënyrë ka qenë e dhimbshme për Liverpoolin.

Manchester City ka fituar kampionatin për vitin e dytë radhazi dhe skuadra e Jurgen Klopp duhet të kënaqet me vendin e dytë në renditje, pavarësisht se ka pësuar vetëm një humbje në 38 ndeshje dhe se ka grumbulluar 97 pikë.

“Të Kuqtë” mund të “ngushëllohen” me Champions League në fund të sezonit, por nuk duhet të ndihen mirë nëse mendojnë për numrin e kampionateve që do të kishin fituar në të kaluarën me të njëjtin numër pikësh.

Plot 25 nga 27! Praktikisht të gjitha kampionatet e luajtura nga 1993-shi në 2017-ën. Në 2018 dhe 2019-ën, në fakt, City e ka mbyllur kampionatin me 100 dhe 98 pikë, një befasi e vërtetë për lojtarët e Klopp.

“Sigurisht, nuk është e bukur”, ka thënë Klopp në përfundim të ndeshjes me Wolves. 97 pikë është një shifër e çmendur, është sezoni më i mirë që kam pasur në drejtim të një skuadre”.

Gjithsesi, Liverpool mund ta shikojë gotën gjysmë të mbushur: sezonin e kaluar e ka mbyllur kampionatin me 75 pikë dhe pas disa javësh mund të pushtojë Europën, duke mundur në finalen e Champions League Tottenhamin.

Klopp ëndërron hakmarrjen pas zhgënjimit të pësuar vitin e kaluar kundër Real Madrid në Kiev: do të ishte trofeu i parë i një sezoni të luajtur në nivele shumë të larta, por që i ka lënë “Të Kuqtë” duarbosh deri tani.

(Kosova Sot Online)