Ekipi i Haxhi Krasniqit reagon ashpër ndaj gjyqtarëve, s’e pranon assesi humbjen

  • 13 May 2019 - 10:50
Ekipi i Haxhi Krasniqit reagon ashpër ndaj gjyqtarëve, s’e pranon assesi humbjen

Haxhi Krasniqi e ka merituar së paku një barazim në duel me Stefan Hartel, i cili do t’ia mundësonte atij ta mbrojë titullin e kampionit evropian. Kështu konsideron ekipi i tij, pas video-analizës që ia bëri meçit të së shtunës

Ekipi i Haxhi Krasniqit e konsideron të padrejtë vendimin e gjyqtarëve, të cilët vendosën për fitoren e Stefan Hartel në duelin e së shtunës mbrëma.

Boksieri kosovar e humbi brezin e artë të kampionit evropian në meçin e zhvilluar në qytetin Magdeburg të Gjermanisë.

Mirëpo, ekipi i tij mendon se ky meç është dashur të mbyllej së paku me një barazim, me ç’rast 32 vjeçari do ta mbronte titullin e kampionit.

“Meçi ndërmjet Haxhi Krasniqit dhe Stefan Hartel u quajt edhe si ‘meçi i vitit’ nga EBU dhe kjo në bën krenarë përsëri. Mirëpo, ne e bëmë një video-analizë në detaje dhe konsiderojmë se verdikti final nuk ishte i drejtë. Ne e llogaritëm çdo goditje në secilin rund dhe rezultati i drejt ishte baras, 114:114”, ka shkruar ekipi i Krasniqit.

“Ne e dimë se Robini nuk e bëri meçin më të mirë, posaçërisht pas çarjes në sy, i cili e detyroi të boksonte për 12 runde me gjak. Mirëpo, ai definitivisht i fitoi 6 runde, të cilët ishin të mjaftueshëm për ta mbrojtur titullin. Stefan Hartelin e duam po ashtu. Dhe, përkundër paraqitjes së tij mjaft të mirë, ai nuk është për kampion evropian”, shton klubi gjerman.

“Stefani mund të themi se ishte më i mirë në 2-3 runde, të cilët ishin shumë të ngushtë. Duke e konsideruar se Robini ishte duke e mbrojtur titullin e kampionit dhe ishte boksieri që luajti në shtëpi, nuk do të ishte mrekulli nëse Robini do ta fitonte krejt meçin. Por, gjyqtarët u pa qartë se dëshiron t’ia jepnin titullin sfiduesit të tij”, përfundoi Krasniqi.

Haxhi Krasniqi humbi me pikë pas vendimit të gjyqtarëve, duke e bërë një hap prapa në karrierë.

Mirëpo, kampioni kosovar nuk e ka ndërmend të ndalet dhe qysh tash do të mendojë për ta rikthyer brezin e artë evropian dhe ta synojë edhe titullin e kampionit botëror.

(Kosova Sot Online)