“Neymar gaboi rëndë që u largua nga Barcelona, duhet të shkojë te Reali”

  • 13 May 2019 - 16:03
“Neymar gaboi rëndë që u largua nga Barcelona, duhet të shkojë te Reali”

Jose Carlos Peres mendon se karriera e tij do të kishte marrë kaheje tjetër nëse kthehet në Real Madrid dhe në këtë mënyrë do të kishte përmirësuar sipas tij, gabimin që bëri duke u larguar nga Barcelona.

Neymar ka “gabuar që u largua nga Barcelona”, thotë presidenti i Santosit, Jose Carlos Peres, i cili urgjentisht ka kërkuar nga lojtari që të kthehet në Spanjë te Real Madridi.

Neymar ka qenë pjesë e akademisë së Santosit para se të shpërthejë në ekipin e parë dhe të zgjojë interesimin e gjigantëve evropian, për të vendosur në fund që të shkojë te Barcelona.

Ai kaloi disa vite të mrekullueshme në “Camp Nou”, madje e fitoi edhe Ligën e Kampionëve dhe krijoi marrëdhënie fantastike me Leo Messin, ashtu si me Luis Suarezin – ishin të pandashëm.

Barcelonë: Suarez, Neymar dhe Messi në vitin 2015, kur fituan edhe Champions Leaguen

Por, befas, në verën e vitit 2017 ndryshoi gjithçka për të dhe vendosi të paguaj vet klauzolën e lirimit, duke u larguar nga Barcelona, për t’u transferuar te PSG-ja.

Ai ka shënuar 51 gola në 58 ndeshje me PSG-në, statistika fantastike, por asgjë s’ka shkuar siç duhet në Francë për brazilianin – pasi si vitin e kaluar, ashtu edhe këtë vit, pjesën më të rëndësishme të sezonit e ka kaluar në infermieri.

Sido që të jetë, Peres thotë se Neymari duhet patjetër të kthehet në Spanjë. Në këtë mënyrë, ai mendon se karriera e tij do të kishte marrë kaheje tjetër sepse ka gabuar shumë që ka lënë një klub si Barça.

“Shpresoj shumë që Neymar të shkojë në Real Madrid, do të ishte vendi më i mirë për të”, tha Peres për Marca.

“Ai ka gabuar shumë që u largua nga Barcelona, ishte duke u rritur ende si lojtar. Gjërat s’kanë shkuar mirë për të që kur u largua”.

“Jam ndjekës i Real Madridit, është klub që i bën gjërat në mënyrë fantastike. Nëse do t’i jepet shansi ta veshë fanellën e Real Madrid, atëherë ai nuk duhet të mendojë dy herë”.

Presidenti i Santosit foli edhe për talentin 18-vjeçar që tashmë e ka blerë Reali, Rodrygo Goes.

“Rodrygo do të bëhet lojtar i shkëlqyer. Jam gëzuar shumë kur ka nënshkruar me Realin”, tha ai.

“Ai nuk është yll, është i gatshëm gjithmonë që të mësojë. E do futbollin, dhe kjo është më e rëndësishmja”.

(Kosova Sot Online)