Ndeshja që e “dhezi luftën” në Ballkan – flet polici që u godit nga Zvonimir Boban

  • 13 May 2019 - 19:26
Ndeshja që e “dhezi luftën” në Ballkan – flet polici që u godit nga Zvonimir Boban

Ata që janë gjeneratë pak më e vjetër mund ta kujtojnë shumë lehtë. Ngjarja kishte ndodhur në vitin 1990 në stadiumin e Maksimirit, më 13 maj. Dinamo e Zagrebit kundër Crvena Zvezdës së Beogradit, ose më saktë kroatët kundër serbëve.  Nëse i shikoni pamjet pa kontekstin e atëhershëm ky do t‘ju duket vetëm një incident sportiv. Por, e gjithë ngjarja kishte një sfond politik, protagonist kryesor i ngjarjes ishte kapiteni i atëhershëm i Dinamos, më vonë ylli i Milanit dhe një polic boshnjak i cili ka rrëfyer sot për ngjarjen.

“Kam mundur ta vras. Ai më sulmoi në vend të punës. Kuze (futbollist), e shpëtoi duke e tërhequr nga unë. Ne deshëm ta qetësojmë situatën ndërsa Boban i thirri ‘Bad Blue Boys’at’ në fushë. Kjo e ishte e parapërgatitur. Unë e kishte revolen e mbushur dhe kolegët më thoshin që të gjuaj, por unë nuk desha. Po të vazhdonte loja, do të kishte të vdekur” kështu thotë 29 vjet më vonë Refik Ahmetovic, polici të cilin më 13 maj e kishte goditur në stilin “karate” një nga lojtarët më të mirë në Serie A, kroati Zvonimir Boban.

Po luanin Dinamo kundër Crvenza Zvezdës, shkruan gazeta sarajevase Dnevni Avaz, kur shpërtheu nacionalizimi deri në kufi të konfliktit.

Shumëkush sot e sheh atë ditë si momentin faktik ose së paku fillimin simbolik të gjakderdhjes që pasoi në periudhën në vijim në hapësirat e ish –Jugosllavisë.

Polici Refik nga ajo ditë u “pagëzua” me nofkën “Boban”.

“Në Jug të stadiumi tifozët e Zvezdës u frikësuan dhe u qetësuan. Ne u desh t’i ndalim disi tifozët kroatë. Por, kjo nuk ishte diçka e rastit. Rrethoja ra, në fushë kishte pothuaj tri maune gurë. Shkopinjtë e gomës kërcisnin nga goditjet e forta. Boban donte trazira. Unë nuk e prisja një reagim të tillë të tij. Disa më thanë që mund ta ‘ndreqim’ Bobanin pas ndeshjes por unë nuk kam dashur“, shtoi ai.

“Atë ditë nuk duhej të punoja“

“Më telefonoi shefi dhe më luti që të shkoj në ndeshje edhe pse isha i lirë. Shkova në stadium më herë dhe kisha detyra ta ruaj portierin e Crvena Zvezdës“ vazhdon rrëfimin polici.

Më pas ai e ka përshkruar në detaje konfliktin me Bobanin.

“Unë e pashë një tifoz që kolegun tim donte ta godiste në kokë me fikësin e zjarrit. Nuk e mbrojta kolegun. Dhe këtu erdhi Boban, të cilit i thashë ‘e ti çka do’. E hoqa helmeten të cilin e mbajta në dorën e djathtë e cila në një moment më rrëshqiti. Shkova ta marr sepse polici nuk guxon t’i humbë pajisjet dhe në këtë moment e pashë Bobanin duke vrapuar në drejtim timin. Më goditi me gju në brinjë dhe më rrëzoi. Kolegët më thanë që ta nxjerrë revolen dhe ta qëlloj atë”, tregoi ai.

(Kosova Sot Online)