“Arena Kombëtare” nuk do të jetë gati për muajin qershor

  • 14 May 2019 - 20:07
“Arena Kombëtare” nuk do të jetë gati për muajin qershor

Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armando Duka, ka konfirmuar se stadiumi i ri “Arena Komëbtare” nuk do të jetë gati për ndeshjet e Kombëtares në muajin qershor.

Një nga projektet prioritare të Federatës Shqiptare të Futbollit në vitet e fundit ka qenë akademia e arbitrimit. Me ndihmën e sektorit të garave është promovuar në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme roli i veçantë i gjyqtarit në futboll, dhe frytet kanë qenë evidente.

Në edicionin e dytë të Akademisë së Arbitrimit, Federata Shqiptare e Futbollit e përfaqësuar nga presidenti Armand Duka, kordinatori i akademisë Sokol Jareci dhe kreu i Shoqatës së Arbitrave Tahir Kastrati kanë qënë të pranishëm në shkollën e mesme sportive “Benardina Qeraxhia” në Durrës për të promovuar atë që aktorët e futbollit e quajnë si një ndër profesionet më të vështira në sport.

Në përfundim të takimit me nxënësit e shkollës së mesme sportive, presidenti i FSHF-së adresoi disa çështje të rëndësishme, duke nisur nga ndërtimi i Arenës Kombëtare, që ende nuk është gati të presë ndeshjet e skuadrës përfaqësuese.

“Kuptohet që nuk është e lehtë nga pikëpamja konstruktive, arredimi, mobilimi, prodhimi i sinjaleve televizive. Këto gjëra të vogla e bëjnë të vështirë ndërtimin e një stadiumi. Është një projekt shumë i madh, i parealizuar asnjëherë në Shqipëri. Do ishte shumë mirë që ta kishim parashikuar saktë për në qershor, por është e pamundur që të arrihet. Kështu që uroj që në shtator të mos gabojmë dhe të jemi në kohën e duhur”, tha Duka.

Reforma ligjore në sport është kthyer në një domosdoshmëri, përsa i përket paketës ligjore e cila do të limitonte dhunën në stadiume, kreu i Federatës Shqiptare ka një optimizëm të moderuar, në një kohë që sipas Dukës qeveria duhet të kuptojë se investimi në sport nuk është bamirësi, por ka përfitime të mëdha.

“Asnjëherë nuk duhet ta mendojë as qeveria dhe as një politikan që financimi në këtë fushë është një lëmoshë apo bamirësi për sportin. Qeveria nuk humbet edhe nëse sot do të shpenzojë një lek nga buxheti, do t’i kthehen 4 lekë nesër, apo 1 euro sot 4 euro nesër. Kështu që nuk është investim i gabuar por një investim rentabël”, shtoi Duka.

Në fund nuk mund të mungonte komenti i presidentit të insititucionit që drejton futbolllin në lidhje me rikthimin e Partizanit tek titulli pas 26 vitesh, edhe pse tashmë pretendimet e Dukës për të kuqtë shkojnë përtej kampionatit shqiptar.

(Kosova Sot Online)