Statistikat tregojnë si ka ndryshuar Ronaldo me Juventusin

  • 15 May 2019 - 08:50
Statistikat tregojnë si ka ndryshuar Ronaldo me Juventusin

Që kur u transferua në Serie A, stili i lojës së Cristiano Ronaldos ka ndryshuar të paktën sipas statistikave. Ai e godet topin më pak, përfshihet më shumë në fazën e mbrojtjes, e humb topin më shumë dhe po shënon më pak.

Transferimi i Cristiano Ronaldos në Juventus verën e kaluar nuk ishte i papritur, për një gjë të tillë ishte spekuluar me muaj të tërë. Përkundër kësaj, zyrtarizimi prapëseprapë i la shumë tifozë të tronditur pasi që mendonin se ai nuk do ta linte Real Madridin për Serinë A.

Megjithatë, Ronaldo e mori pikërisht këtë hap dhe tani që sezoni është shumë afër fundit, tifozët kanë filluar ta analizojnë ndikimin që ai e ka pasur. Megjithatë, kjo gjë nuk është e lehtë.

Ai është treguar i suksesshëm në ligë, pasi që Juventusi arriti ta fitojë sërish titullin e Serisë A dhe Ronaldo është golashënuesi më i mirë në skuadër për momentin.

Portugezi arriti ta kalojë Juventusin në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur pothuajse i vetëm Atletico Madridit, kundër të cilëve shënoi het-trik dhe e përmbysi rezultatin.

Por, Juventusi ka fituar më pak këtë vit sesa vitin e kaluar, pa Ronaldon, pasi që këtë sezon ata s’kanë arritur ta fitojnë titullin e Kupës së Italisë për herë të parë që nga viti 2014.

Për më tepër, në nivelin individual, Ronaldo është golashënuesi i tretë më i mirë në Serie A, bashkë me Krzysztof Piatekun, dhe prapa Fabio Quagliarella dhe Duvan Zapatas.

Për më tepër, Ronaldo po e godet topin më pak sesa me Real Madridin dhe po e prek më pak topin brenda zonës së 16-metërshit. Ronaldo, i famshëm për aftësinë e tij të shënojë gola, tani ka statistikë më të dobët sa i përket këtij aspekti. Ai i shënonte me Real Madridi mesatarisht 0.78 gola për ndeshje, ndërsa tani me Juventusin i shënon mesatarisht 0.57 gola për ndeshje.

Megjithatë, disa ndryshime të tij janë edhe në aspektin pozitiv. Ronaldo godet më shpejt pasi e kap topin, pas çdo pesë prekjeje në krahasim me shtatë të sezonit të kaluar, si dhe përfshihet më shumë në fazën e mbrojtjes.

Përderisa portugezi e humbte topin vetëm 2.3 herë mesatarisht brenda ndeshjeve të sezonit të kaluar me Real Madridit, me Juventusin ai e humb topin më shumë, mesatarisht 3.39 herë për ndeshje.

(Kosova Sot Online)