Dy yjet e Kosovës, Zhegrova dhe Demhasaj më të mirën në derbin Basel – Luzern

  • 15 maj 2019 - 22:08
Dy yjet e Kosovës, Zhegrova dhe Demhasaj më të mirën në derbin Basel – Luzern

Luzerni ka bërë një hap prapa në përpjekje për t’u kualifikuar në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm, pasi u mposht 3:2 nga Baseli në një ndeshje ku shkëlqeu dyshja sulmuese e Kosovës, Shkelqim Demhasaj dhe Edon Zhegrova.

Dy golat e sulmuesit të Kombëtares së Kosovës, Demhasajt, nuk i mjaftuan Luzernit, pasi Baseli shënoi tri herë falë Zdravko Kuzmanovic, Balanta dhe Albian Ajeti, të mërkurën në Jakob-Park në Basel.

Edon Zhegrova, i cili e bëri vetëm paraqitjen e tij të tretë si titullar për Baselin që prej transferimit të tij nga Genku në fillim të shkurtit, pati një paraqitje mbresëlënëse dhe luajti 90 minuta të plotë.

Anësori i ekipit kombëtar të Kosovës pati rol në golin e tretë të Baselit, i shënuar nga sulmuesi shqiptar i Zvicrës, Albian Ajeti.

22-vjeçari dështoi ta gjejë golin e tij të parë në fanellën e skuadrës ku është i huazuar edhe pse ishte shumë pranë në disa raste, por performanca e tij e përgjithshme ishte tejet e mirë. Për Baselin, kjo ndeshje ishte sa për prestigj, sepse tashmë e ka siguruar kualifikimin direkt në Ligën e Kampionëve.

Ndërkohë, Idriz Voca dhe Demhasaj, që luajtën titullarë, nuk munden t’i ndihmojë Luzernit ta bëjë një hap të madh drejt kualifikimit në Ligën e Evropës, edhe pse ky i fundit shënoi dy herë.

Demhasaj shënoi dy gola të shpejtë brenda katër minutave, me golin e dytë që ishte më i miri i ndeshjes, gjatë të cilit kosovari shfaqi aftësitë e tij prej sulmuesi.

Dy javë para fundit, Luzerni ende ka gjasa të përfundojë në zonën që dërgon në kualifikime apo edhe direkt në Ligën e Evropës.

(Kosova Sot Online)