Deklarohet menaxheri, a do ta zëvendësojë Griezmanni Coutinhon në Barçë?

  • 16 May 2019 - 10:02
 Deklarohet menaxheri, a do ta zëvendësojë Griezmanni Coutinhon në Barçë?

Barcelona pritet ta transferojë Antoine Griezmannin nga Atletico Madridi gjatë afatit kalimtar të verës, mirëpo menaxheri i Philippe Coutinhos, Andrea Bertolucci, beson se klienti i tij nuk do të zëvendësohet nga francezi.

Përkundër që e kishte nisur mirë karrierën në Barcelonë, Philippe Coutinho nuk ka arritur ta përsërisë formën që e kishte treguar me Liverpoolin para se të transferohej në Spanjë për 160 milionë euro, gjatë afatit kalimtar të janarit vitin e kaluar.

Këtë sezon, mesfushori sulmues ka arritur t’i shënojë vetëm pesë gola në La Liga nga gjithsej 34 paraqitje dhe ai nuk ka arritur ta zë një vend në formacionin e parë të Barcelonës. Në 12 nga këto 34 ndeshje, ai u inkuadrua në lojë nga stoli.

Forma zhgënjyese e Coutinhos ka bërë që ai të marrë shumë kritika dhe fishkëllima nga tifozët e Barcelonës, të cilët e kanë fishkëllyer atë gjatë ndeshjes disa herë në muajt e fundit, përderisa mediat botërore e lidhin atë me një largim nga Spanja.

Konfirmimi i Griezmannit të martën se ai do të largohet nga Atletico Madridi në muaj në vazhdim ka bërë që spekulimet rreth të ardhmes së Coutinhos të intensifikohen, edhe pse përfaqësuesi i tij është i bindur se transferimi i mundshëm i francezit në Barcelonë nuk do ta ndikojë klientin e tij.

“Është e pavërtetë që Griezmanni do të zëvendësojë Philippen në Barcelonë”, ka thënë Andrea Bertolucci për AS.

“Nuk e di pse mediat po e thonë një gjë të tillë. Nuk di asgjë për këtë dhe për këtë arsye nuk dua ta komentoj këtë më tutje. Por, spekulimi është i gabuar”.

Coutinho ka kontratë në Camp Nou deri në vitin 2023 dhe ai thuhet se ka ngjallur interesim te Manchester Unitedit, që po kërkon ta revolucionarizojë skuadrën gjatë këtij afati kalimtar.

(Kosova Sot Online)