Chelsea ende s’ka vendosur për të ardhmen e Sarrit

  • 16 maj 2019 - 10:22
Chelsea ende s’ka vendosur për të ardhmen e Sarrit

Chelsea rrezikon të ngecë këtë verë, pasi që “The Blues” ende nuk e kanë marrë vendimin për ta shkarkuar ose jo trajnerin aktual, Maurizio Sarrin, në fund të sezonit.

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, raporton se drejtuesit në Stamford Bridge nuk janë të gatshëm të marrin vendime për transferimin ose shitjen e lojtarëve para se të vendoset për të ardhmen e Maurizio Sarrit.

Përkundër që e ngriti Chelsean në pozitën e tretë në tabelën e Premierligës dhe e siguroi nga një vend në finalet e Carabao Cup dhe të Ligës së Evropës gjatë sezonit të tij të parë me londinezët, ish-trajneri i Napolit nuk pëlqehet nga një pjesë e madhe e tifozëve të Chelseat.

Përballja me Arsenalin në finale të Ligës së Evropës, më 29 maj në Baku të Azerbajxhanit, është mundësia e fundit që Sarri të fitojë trofe këtë sezon. Mirëpo, një numër i tifozëve kanë mbetur të zhgënjyer me disa prej paraqitjeve dhe rezultateve të klubit të tyre gjatë muajve të fundit.

Përderisa largimi i Eden Hazardit nga Chelsea në Real Madrid është ende duke u zhvilluar, çështjet e tjera – si rinovimi i kontratës së Callum Hudson-Odoit dhe vendimet për të ardhmen e lojtarëve të huazuar – do të duhet të presin derisa Chelsea ta marrë vendimin përfundimtar për shkarkimin ose jo të Sarrit.

Dënimi i FIFA-s ia pamundëson Chelseat të transferojë lojtarë gjatë dy afateve të ardhshme kalimtare, mirëpo klubi londinez shpreson se do ta fitojë gjyqin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Ky dënim i mundshëm këtë verë do të luajë rol vendimtar për planet e klubit londinez gjatë afatit kalimtar, mirëpo Sarri ende nuk është garantuar nga drejtoresha e klubit, Marina Graniskovaiai, që ai do të jetë trajneri i Chelseat edhe sezonin tjetër.

(Kosova Sot Online)