Wilder përballet me gjykatën, pas deklaratës se synon ta vrasë ndonjë boksier në ring

  • 17 May 2019 - 08:37
Wilder përballet me gjykatën, pas deklaratës se synon ta vrasë ndonjë boksier në ring

Deontay Wilder do të paraqitet në një seancë gjyqësore, pasi që Këshili Botëror i Boksit (ËBC) ka thënë se komentet e tij të fundit janë në kundërshtim me parimet e boksit. Wilderi tha se synon ta vrasë ndonjë boksier në ring, pasi që sipas tij kjo gjë është e ligjshme në boks.

Kampioni i peshave të rënda në WBC, Deontay Wilder, do ta mbrojë titullin e tij të shtunën kundër Dominic Breazeale, në Barclays Center në Nju Jork

Bokseri i njohur si “Bronze Bomber” e ka paralajmëruar kundërshtarin e tij se ai është duke e rrezikuar jetën, pasi që e zbuloi dëshirën e tij për ta vrarë ndonjë person gjatë një meçi në ring.

“Ky është i vetmi sport ku mund ta vrasësh një njeri dhe të paguhesh për këtë gjë në të njëjtën kohë. Është e ligjshme”, ka thënë Wilder.

“Jeta e Breazeale është në rrezik në këtë meç dhe e them seriozisht këtë gjë. Unë jam ende duke tentuar që ta kem një person të vrarë në rekordin tim”.

Presidenti i WBC-së, Mauricio Sulaiman i ka quajtur këto komente për të të ardhur keq dhe kundër etikës së organizatës.

Kjo nuk është hera e parë që Wilderi ka folur publikisht për synimin e tij që ta vrasë ndonjë boksier gjatë meçit. Komentet e tij më parë ishin kritikuar ashpër nga disa boksierë të famshëm, si Tony Bellew.

Kur u pyet se çfarë do të mendonte Breazeale për komentet e tij të fundit, Wilder u përgjigj: “Dominic Breazeale e kërkoi këtë gjë. Nuk e kërkova unë meçin kundër tij. Ai më kërkoi mua. Kështu që nëse ndodh, ndodh. Ky është një sport brutal, nuk është për xhentëlmenë”.

“Ne nuk kërkojmë që të goditemi në fytyrë, por kjo gjë ndodh prapëseprapë. Ky është sporti i vetëm ku mund ta vrasësh dikë, të paguhesh dhe e gjitha kjo të jetë e ligjshme. Kështu që pse të mos e përdori të drejtën time tani”. 

(Kosova Sot Online)