“Klubi më kërkoi ta vërtetoj që nuk jam i çmendur”

  • 17 May 2019 - 11:18
“Klubi më kërkoi ta vërtetoj që nuk jam i çmendur”

Mbrojtësi i Tottenhamit, Danny Rose, ka zbuluar se një klub i kishte kërkuar t’ia bënte disa teste për ta zbuluar nëse ai është i çmendur, gjatë bisedimeve për kontratë. Ky incident kishte ardhur pasi ai e kishte pranuar se ka probleme me shëndetin mendor, në vitin 2018.

Anglezi Danny Rose mori shumë lëvdata që i bëri publike vështirësitë me të cilat është përballur, sa i përket shëndetit mendor, para turneut të Kupës së Botës në Rusi.

Në një intervistë, Rose kishte zbuluar se depresioni ia kishte bërë atij të vështirë të dilte nga shtrati dhe e la atë të varur nga ilaçet për disa muaj me radhë. Kjo gjendje 28-vjeçarit i erdhi për shkak të disa gjërave në jetën personale dhe atë profesionale, mirëpo ai insiston se aftësia e tij për të luajtur futboll nuk ishte ndikuar asnjëherë.

Megjithatë, disa njerëz nuk u pajtuan me të. Rose tani ka zbuluar se si i ishin referuar disa klube të interesuara për transferimin e tij vitin e kaluar, në një intervistë me BBC One për dokumentarin “Një Bisedë Mbretërore në Ekip: Ballafaqimi me Shëndetin Mendor”. 

“Unë mendoj se e kemi edhe një rrugë shumë të gjatë para vetes në futboll sepse gjatë verës unë isha në bisedime me një klub tjetër dhe ata më thanë: “Klubi dëshiron të të takojë personalisht, për ta dëshmuar që nuk je i çmendur””, ka rrëfyer Rose.

“Ma thanë këtë për shkak të deklaratave të mia të mëparshme dhe për shkak të gjërave me të cilat jam ballafaquar. Unë isha i turpëruar, pasi që më pëlqen të mendoj se çfarëdo që kam kaluar nuk ka ndikuar në paraqitjen time në punë. Unë ende e di se e jap 100 përqindëshin tim gjithmonë”.

“Në fund, ata vendosën të mos më bëjnë ofertë. Por, të mendosh që njerëzit më paragjykojnë si të çmendur është turpëruese dhe unë ende jam i zemëruar për këtë gjë. Nëse ajo mundësi do të më vinte përsëri, unë do të thosha menjëherë jo”. 


(Kosova Sot Online)