Rooney i akuzon lojtarët e Man Unitedit: Po fshiheni

  • 17 May 2019 - 12:02
Rooney i akuzon lojtarët e Man Unitedit: Po fshiheni

Wayne Rooney beson se shumë futbollistë në Manchester United po performojnë dobët dhe pastaj kërkojnë të fshihen prapa dikujt. Anglezi shtoi se tanimë Old Traffordi  nuk i frikëson kundërshtarët.

Ish-sulmuesi legjendar i “Djajve të kuq” e shikoi skuadrën e tij nga larg gjatë sezonit 2018/19, përderisa ata në Old Trafford e kaluan edhe një tjetër sezon të cilit do të preferonin ta harronin.

Sezoni filloi keq nën drejtimin e Jose Mourinhos, u përmirësua për një kohë të shkurtër nën Ole Gunnar Solskjaerin, mirëpo përfundoi me vetëm dy fitore në gjithsej 12 ndeshjet e fundit të zhvilluara.

Talenti dhe aftësia e shumë prej yjeve të skuadrës – si Paul Pogbës, Alexis Sanchezit e Romelu Lukakus – është vënë në dyshim gjatë këtij sezoni, për shkak të paraqitjeve të tyre.

Rooney e ka vënë në dyshim përqendrimin e futbollistëve të Manchester Unitedit dhe ka kërkuar që të ketë më shumë autoritet nga stafi dhe trajneri.

Rooney e kishte shijuar një periudhë shumë të suksesshme në Manchester United, nën drejtimin e Sir Alex Fergusonit, dhe tani ai beson se klubit i nevojitet po ai lloj i udhëzimit.

“Mendoj se lojtarët duhet t’i frikësohen dikujt. Ata duhet t’i frikësohen Ole Gunnarit. Ata duhet t’i frikësohen Michael Carrickut. Ata duhet t’i respektojnë, por edhe t’u kenë frikë gjithashtu”, ka thënë golashënuesi më i mirë në histori të “Djajve të kuq”. 

“Mënyra se si ka ndryshuar futbolli… ka ndryshuar edhe shoqëria tani që i kemi rrjetet sociale. Ne kemi lojtarë që e humbin një ndeshje dhe postojnë në rrjetet e tyre sociale për linjën e tyre të rrobave, losionin e tyre të ri, çfarëdo që kanë sjellë në treg. Kjo mund më duket e pabesueshme”.

“Kur tifozët flasin për këtë gjë dhe thonë: “Pse po e poston këtë gjë”, lojtarët gjithmonë i fajësojnë ekipet e marketingut, mirëpo ata duhet ta marrin përgjegjësinë vetë. Ato ekipe marketingu punojnë për ty”.

“Unë kam njerëz që bëjnë punë të tillë për mua dhe ata s’guxojnë të bëjnë asgjë pa udhëzimet e mia. Duhet ta marrësh përgjegjësinë për gjëra të tilla. Këta lojtarë pothuajse dalin në kërkim të dikujt prapa së cilit mund të fshihen, qoftë kjo në rrjete sociale apo në fushën e futbollit. Ata po e bëjnë pikërisht këtë gjë”.

Rooney u largua nga Old Traffordi verën e vitit 2017, duke i dhënë kështu fund karrierës 13-vjeçare me Manchester Unitedin. Ai luajti sezonin tjetër për klubin e tij të fëmijërisë, Evertonin, ndërsa u transferua në DC United, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qershor të vitit të kaluar.


(Kosova Sot Online)