Talenti që çmendi Francën bashkë me Sarrin drejt Milanit

  • 17 maj 2019 - 18:04
Talenti që çmendi Francën bashkë me Sarrin drejt Milanit

Sipas "Sportmediaset", në verë, te Milani do të ketë revolucion dhe, sido që të shkojë situata, me apo pa Champions, Leonardo duket drejt mbylljes së raportit, pasi disa lëvizje dhe investime në merkato nuk i kanë pëlqyer klubit, por sidomos edhe raporti i ndezur me trajnerin Gattuso që ka prishur harmoninë.

Por, veç drejtorit sportiv (Maldini nuk do të lëvizë) duhet gjetur edhe një trajner. Nëse për trajnerin ende duhet pritur, pasi vlerësimi për Gattuson mbetet i madh, për drejtorin sportiv, emri është gjithmonë ai: Luis Campos, drejtori dhe "scout"-i zbulues i Lille.

Tepër i lidhur me Jorge Mendes (super agjentin), Campos është ideali për një projekt të rinjsh dhe për të zbuluar miniera ari. Sakaq, "Sportmediaset" shkruan dhe se i sakrifikuari i verës mund të jetë Suso dhe talenti i Lille, Pepe, që kushton rreth 50 mln euro, mund të zbarkojë te Milani, i sjellë nga Campos pikërisht.

Ndërkohë, kontrata me Gattuson, edhe për dy vite të tjera, pritet të prishet dhe trajneri do të përfitojë 4 mln euro sipas asaj që i takon: vetëm nëse nuk firmos me Newcastlle në Premier League.

 

Sa i përket Maurizio Sarrit, pas "blitz" të Gazidis në Londër dhe ofertës 3 mln euro në vit për tre vitet e ardhshme, ish-trajneri i Napolit dhe aktual i Chelseat, ka kërkuar pak kohë, edhe pse projekti kuqezi i pëlqen, me futbollistë të rinj dhe të talentuar për t'u "fërguar" nga duart e tij. Abramovich është bindur nga Marina Granovskaia që Sarri nuk është i duhuri dhe do ta shkarkojë, edhe në rast se fitohet Europa League.

(Kosova Sot Online)