Simeone e thumbon Griezmannin

  • 17 May 2019 - 20:28
Simeone e thumbon Griezmannin

Ditë të rëndësishme për Atletico Madrid dhe për sulmuesin francez Antoine Griezmann. Francezi ka njoftuar se do t’i japë lamtumirën klubin në përfundim të sezonit.

Një vendim që ka tronditur të gjithë ambientin e Colchoneros, veçanërisht trajnerin Diego Pablo Simeone.

“Griezmann? E vlerësoj shumë. Antoine është një prej sulmuesve më të mirë në historinë e klubit. Kanë qenë pesë vite të mrekullueshëm. E falenderoj për atë që na ka dhënë dhe nuk e gjykoj vendimin e tij”, komentoi Simeone.

Gjithsesi, Cholo nuk ka kursyer edhe thumbin ndaj francezit kampion bote: “Këtej nga ne janë larguar sulmues si Fernando Torres, Diego Forlan, Sergio Aguero dhe Diego Costa.

Tani Griezmann… por gjithmonë klubi ka vazhduar të jetë konkurues”.

“Forca e klubit është më e madhe se ajo e një kohe më parë. Së fundmi është dëshmuar se klubi është më i rëndësishëm se të gjithë ne. Pas Griezmann do të vijnë futbollistë me dëshirën për të qenë pjesë e një skuadre të rëndësishme”, deklaroi trajneri Simeone.

Skuadra madrilene është në kërkim të një lojtari që të zëvendësojë Antoine Griezmann.

Ndaj, sipas “The Sun”, Lacazette mund të luajë me skuadrën “colchoneros” sezonin tjetër edhe pse ka një kontratë me Arsenal që skadon në vitin 2022. Një sulmues që sipas mediave spanjolle pëlqehet nga trajneri Diego Simeone, pasi ka përvojë edhe në arenën ndërkombëtare.

Lacazette kushton rreth 80 milionë euro, çka mund të ndërlikojë disi gjërat. Atletico nuk i ka problem paratë, pasi nga shitja e Griezmann do të arkëtojë 125 milionë euro.

Gjithsesi, klubi nuk ka shumë dëshirë të shpenzojë këtë shumë për Lacazette, ndaj është duke biseduar me “topçinjtë” për të mbyllur marrëveshjen për shifrën 60 milionë euro..

(Kosova Sot Online)