Guardiola: City është i pafajshëm

  • 18 May 2019 - 09:08
Guardiola: City është i pafajshëm

Guardiola ka mbrojtur klubin, pas nisjes zyrtarisht të hetimeve për ta përjashtuar Manchester Cityn nga Champions League.

Tani është zyrtare, UEFA e ka dërguar Manchester Cityn për gjykim në Dhomën e Kontrollit Financiar të Klubeve, brenda institucionit të saj.

Qeveria e futbollit europian ka bërë të ditur edhe arsyet e marrjes së këtij vendimi, teksa thekson se klubi kampion i Anglisë dyshohet se ka thyer rregulloren e “Fair Play” financiar, diçka për të cilën është folur në shumë raste edhe në media.

Në shënjestër të hetimeve të UEFA-s janë vënë të ardhurat fiktive nga sponsorizimet.

Në të vërtetë, bilanci i Manchetser Cityt është përmirësuar nga rritjet e kapitalit nga ana e aksionerëve kryesorë të klubit, por në bilancin e klubit ato janë kontabilizuar si sponsorizime, e të gjitha këto veprime kanë ndodhur përpara vitit 2014.

Kjo do të thotë se Manchester City, nëse do të rezultojë fajtor, do të përjashtohet nga Champions League sezonin e ardhshëm.

Mirëpo, Pep Guardiola i beson klubit dhe është i bindur se nuk kanë thyer ndonjë rregull.

“Kam thënë shumë herë, i besoj klubit, njerëzve”, tha Guardiola në konferencë para FA Cup të shtunën kundër Watford.

“Nëse kemi bërë diçka gabim do të dënohemi, por tani për tani e di se njerëzit janë duke pritur që ne të shpallemi fajtor, por jemi të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia”.

(Kosova Sot Online)