Presidenti i Feronikelit falënderon tifozët, beson se titulli do të shkojë në Drenas

  • 18 May 2019 - 09:15
Presidenti i Feronikelit falënderon tifozët, beson se titulli do të shkojë në Drenas

Naser Ramaj, numri një i Feronikelit, ka tentuar t’i motivojë lojtarët para super ndeshjes në Ipko Superligën e Kosovës me Prishtinën – vendimtare për titull.

Sikurse sezonin e kaluar, titulli i kampionit të Kosovës do të vendoset në xhiron e fundit.

Ndeshja më e madhe e vitit në IPKO Superligë, e cila po konsiderohet si finalja e madhe e titullit do të zhvillohet të dielën në Drenas.

Lideri Feronikeli do ta presë Prishtinën në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, i cili do të jetë arenë e ndeshjes përcaktuese për skuadrën që do të luajë në Champions League sezonin e ardhshëm.

Skuadra nga Drenasi prin në tabelë me 2 pikë më shumë se prishtinasit.

Prandaj, ekipit të Zekirija Ramadanit i konvenojnë dy rezultate për t’u shpallur kampion, fitorja dhe barazimi.

Nga ana tjetër, trupës së Mirel Josës i kryen punë vetëm fitorja, për t’i dhënë fund pritjes së gjatë prej gjashtë vjetësh pa e fituar titullin.

Para kësaj ndeshje ka reaguar presidenti i Feronikelit, Naser Ramaj.

Ai ka falënderuar tifozët për mbështetjen gjatë gjithë sezonit, ndërsa ka kërkuar na ta që “në pamundësi të kapaciteteve të stadiumit, dëshirës së flaktë që tërë simpatizantët të jenë të pranishëm në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, kërkojmë nga qytetarët që nuk kanë siguruar bileta, që lojën ta përcjellin edhe nga Sheshi në qendër të Drenasit”.

Ramaj e ka falënderuar Zekirja Ramadanin për punën e bërë dhe nuk dyshon që të dielën Feronikeli do të shpallet kampion sepse siç ka thënë ai “pa mëdyshje do të fitojmë. Sepse, gjatë tërë vitit ishim më të mirët. Me lojtarët më të mirë dhe golashënuesin më të mirë”, raporton Gazeta Express.

Intervista e plotë e Presidentit të Feronikelit:

Qytetarë të komunës së Drenasit, simpatizantë dhe përkrahës të Klubit të Futbollit, “Feronikeli”.

Para ndeshjes vendimtare që do të luhet të dielën, ndjej për obligim, të falënderoj të gjithë qytetarët që na përcollën gjatë një sezoni në Supërligën e Kosovës, ishin pranë nesh dhe qëndruan tifozë besnik edhe kur fitonim, edhe kur nuk fitonim.

Në lojën vendimtare, të dielën, kemi numër të kufizuar të biletave. Në pamundësi të kapaciteteve të stadiumit, dëshirës së flaktë që tërë simpatizantët të jenë të pranishëm në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, kërkojmë nga qytetarët që nuk kanë siguruar bileta, që lojën ta përcjellin edhe nga Sheshi në qendër të Drenasit.

Në Sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas, është siguruar ekrani i madh enkas për lojën vendimtare kur pritet të fitojmë edhe Supërligën e Kosovës, për të tretën herë. Ne, kemi zbatuar rregullat e garës fer dhe shpirt sportiv, konsekuent dhe të disiplinuar, me motiv për lojë të bukur që sjell emocione dhe fitore për “Feronikelin” dhe Drenasin.

Sezoni solli mjaft emocione. Ne po bëhemi gati për sfidën finale. Në këtë sfidë, ne pa mëdyshje do të fitojmë. Sepse, gjatë tërë vitit ishim më të mirët. Me lojtarët më të mirë dhe golashënuesin më të mirë.

Falënderoj të gjithë lojtarët e ekipit tonë, një nga një, për lojën dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm për të arritur deri këtu.

Falënderoj trajnerin e “Feronikelit”, Zekirja Ramadanin dhe stafin tjetër të ekipit tonë.

Në veçanti falënderoj Kryetarin e Komunës, Ramiz Lladrovcin për përkrahjen në çdo lojë, përkushtimin e tij që “Feronikeli”, të arrij deri këtu, dhe unë të bëhem pjesë e këtij ekipi me shpirt të madh.

Po ashtu, e falënderoj Kryetarin Lladrovci për sjelljen e ekranit të madh në Sheshin “Fehmi Lladrovci”, që qytetarët e Drenasit dhe simpatizantët tanë, të bëhen pjesë e fitores tonë të madhe, gëzimit tonë të madh, shpallja e “Feronikelit” , kampion të Kosovës!

Qytetarë dhe simpatizantë të “Feronikelit”, edhe një herë, i ftoj të gjithë ata që nuk kanë bileta për stadium, ju ftoj ta shijoni fitoren dhe shpalljen kampion të “Feronikelit”, në Sheshin “Fehmi Lladrovci”, në Drenas!

Po ashtu, jemi fort të bindur, se shpallja e “Feronikelit” kampion, do të bëhet të dielën në stadium pas ndeshjes, ndërsa pas festës në stadium, të gjithë së bashku, do të nisemi që festën madhështore ta vazhdojmë në Shesh.

Prania e qytetarëve dhe simpatizantëve të “Feronikelit”, në Sheshin “Fehmi Lladrovci”, së bashku me lojtarët tanë dhe tërë ekipin, do të jetë pjesa madhështore e kurorëzimit të sukseseve të futbollit në Drenas dhe më gjerë.

Urime, suksese!

(Kosova Sot Online)