Rashica: I kujtoj arritjet me një sy të qeshur e një të përlotur

  • 18 May 2019 - 21:29
Rashica: I kujtoj arritjet me një sy të qeshur e një të përlotur

Sezoni 2018/19 i Bundesligës mori fund sot. Njëri ndër lojtarët që e kapi vëmendjen e të gjithë gjatë këtij sezoni ishte pikërisht ylli kosovar i Werder Bremenit, Milot Rashica.

Milot Rashica e ka shfrytëzuar llogarinë e tij në rrjetin social Instagram për ta komentuar këtë sezon të tij, në të cilën shkëlqeu veçanërisht në ndeshjet e zhvilluara gjatë vitit 2019.

“Ta mbyllësh sezonin me fitore është gjithmonë kënaqësi . Ishte një periudhë intensive dhe disa ndeshje të mrekullueshme. Megjithatë arritja deri në gjysmëfinale të Kupës dhe humbja e Evropës për vetëm një pikë më bën ta kujtoj këtë sezon me njërin sy të qeshur e me njërin të përlotur”, shkruan Rashica në llogarinë e tij në Instagram.

“Faleminderit të gjithë familjes #Werder për të gjithë mbështetjen e juaj të pabesueshme. Ju ishit të mrekullueshëm”.

Bremeni e përfundoi këtë sezon në pozitën e tetë të Bundesligës, me vetëm një pikë më pak sesa Eintracht Frankfurt, që do të luajë në kualifikime për sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Rashica e ka kujtuar edhe arritjen me skuadrën e tij deri në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë, DFB-Pokal. Megjithatë, në këtë fazë ata u mposhtën nga Bayern Munichu, i cili sot edhe u shpall kampion i Bundesligës.

Sot, Bremeni siguroi fitore me rezultat 2:1 kundër Leipzigut, në të cilën Rashica arriti ta shënojë golin e parë të ndeshjes, në minutën e 35-të, nga pika e penalltisë.

Ky ishte goli i nëntë i Rashicës për këtë sezon. Ai i ka asistuar edhe pesë gola të tjera. Kosovari i ka bërë gjithsej 26 paraqitje këtë sezon, prej të cilave në 19 ka qenë titullar..

(Kosova Sot Online)