Dita finale e njërës prej garave më të nxehta për titull dhe mbijetesë në Superligë

  • 19 May 2019 - 09:32
Dita finale e njërës prej garave më të nxehta për titull dhe mbijetesë në Superligë

Pas 32 xhirove drithëruese dhe me futboll konkurrues, Feronikeli dhe Prishtina do ta zhvillojë betejën e fundit kokë me kokë për kurorën e Ipko Superligës në ditën finale të këtij edicioni 2018/19, ndërkohë që një luftë e fortë do të zhvillohet po ashtu edhe për t’i shpëtuar barazhit.

Lideri i Superligës, Feronikeli do të jetë nikoqir i rivalit për titull, Prishtinës, në një duel të drejtpërdrejt dhe final, sot në stadiumin Rexhep Rexhepi. Takimi i shumëpritur do të nisë në orën 16:00.

Nikli ka premtuar se do të organizojë pritje korrekte për klubin kryeqytetas, grupit të tifozëve të të cilit ia ka ndarë vetëm një sasi të kufizuar të biletave, 200, duke ua arsyetuar se një pjesë e stadiumit është nën rinovim e sipër dhe se interesimi për këtë ndeshje është tejet i madh.

“Natyrisht që pritje korrekte do të ketë, përkundër faktit që është ndeshje vendimtare. Ne e falënderojmë Prishtinën për garën që e ka bërë këtë sezon”, ka thënë Feronikeli.

Klubi nga Drenasi ka habitur me një vendim rreth kësaj ndeshjeje, duke njoftuar se personat nën moshën 15-vjeçare nuk do të lejohen brenda stadiumit pavarësisht se a zotërojnë biletë apo jo.

Kjo ka zgjuar reagime të shumta në rrjetet sociale dhe nuk është pritur aspak mirë.

Dosido, Prishtinës i duhet patjetër ta mposhtë Feronikelin për t’u shpallur kampion i Kosovës, për shkak se çfarëdo rezultati tjetër nga ky takim e bën klubin nga Drenasi të fitojë trofeun e Ipko Superligës.

Ndërkohë, luftë e madhe do të jetë edhe për t’i shpëtuar barazhit në përpjekje për ta siguruar mbijetesën në ligën elitare kosovare.

Drenica, Ballkani, Trepça ’89 dhe Gjilani do të tentojnë t’i ikin barazhit në ditën finale, me dy të parat që i kanë gjasat më të mira.

Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në të njëjtën kohë me fillim në orën 16:00.

Çiftet e javës së fundit dhe renditja aktuale në Superligë.

(Kosova Sot Online)