Warriors një fitore larg finales së madhe

  • 19 May 2019 - 12:30
Warriors një fitore larg finales së madhe

Golden State Warriors vetëm një hap larg finales së madhe të NBA. Kampionët në fuqi të kompeticionit më elitar në botë në basketboll, iu imponuan 99-110 Portland Trail Blazers në sfidën e tretë të serisë, duke e çuar në 3-0 rezultatin në finalen e Perëndimit.

Tashmë të besuarit e Steve Kerr janë vetë një fitore larg kualifikimit për herë të pestë radhazi në finale.

Të papërmbajtshëm në këtë përballje Stephen Curry dhe Draymond Green, me 56 pikë në total, më shumë së gjysmën e pikëve të shënuara nga e gjithë skuadra. “Splash Brother”, sikurse etiketohet Curry, shënoi plot 36 pikë, ndërsa Draymond Green koleksionoi “triple-double”: 20 pikë, 12 asiste dhe 13 rikuperime.

Blazers e nisën shumë mirë sfidën në “Moda Center”, duke e mbyllur pjesën e parë me 13 pikë epërsi, 66-53, por në pjesën e dytë vendësit vuajtën shumë mbrëmjen e keqe të Damian Lillard e CJ McCollum që nuk patën saktësinë e duhur në gjuajtje.

Vetëm 33 pikë të realizuara nga Blazers në 24 minuta lojë, ecuri që u reflektua në dështimin për të shfrytëzuar faktorin fushë. Me rezultatin e serisë 3-0 për Warriors, është vetëm çështje kohe eliminimi i Portlandit, ndërsa Golden State tregoi se mbetet ekipi për t’u mposhtur në NBA, pasi dominoi edhe pa Kevin Durant dhe Cousin, që nuk luajtën në këtë ndeshje për arsye dëmtimi.

(Kosova Sot Online)