Sermaxhaj: Gjilani e Trepça’89 duke bërë eksperimente e sollën vetën në këtë gjendje

  • 20 May 2019 - 16:36
Sermaxhaj: Gjilani e Trepça’89 duke bërë eksperimente e sollën vetën në këtë gjendje

Dy skuadrat e mëdha, Gjilani e Trepça’89, ekzistencën në Superligën e Kosovës duhet ta kërkojnë përmes barazhit. Është vërtet e çuditshme sesi dy këto skuadra që kampionatin e nisën me synime për ta fituar titullin e kampionit, duke sjellë në bankina emra të njohur të trajnerëve, përfunduan në barazh.

Analistët mendojnë se pikërisht eksperimentet dhe papërgjegjësitë e drejtuesve të klubit i sollën në këto situata, ku asgjë të sigurt nuk kanë. Gjilani do të ndeshet me njërën nga skuadrat më të trofeshme në Kosovë, Besën e Pejës në barazh dhe bazuar në bagazhin e kësaj skuadre, atëherë shumë lehtë mund të ndodhë që Gjilanin ta shohim në Ligën e parë.

Kundërshtar shumë të fortë ka edhe Trepça’89 e cila ballafaqohet me Vëllaznimin, klub ky që di si të gjendet në ndeshje të mëdha. Ani pse Trepça’89 në gjysmëfinale të Kupës shumë lehtë e gjunjëzoi Vëllaznimin, këtë herë gjërat duken krejt ndryshe.

Ish futbollisti i mirënjohur Genc Sermaxhaj, në një bisedë për “Kosova Sot Online”, mendon se si Gjilani ashtu edhe Trepça’89 bën shumë gabime gjatë rrugës së tyre.

Image

“Shumë ekipe në fillim deklarohen se do të luftojnë për titull, ndërsa në fund përfundojnë në barazh. Poashtu disa prej ekipeve nuk janë mësuar të luftojnë ndonjëherë për titull dhe nga dëshira e madhe e humbasin gjithë koncentrimin për t’ju qasur sa më mirë kampionatit”, ka thënë për “Kosova Sot Online”, Genc Sermaxhaj duke folur më pas për Gjilanin e Trepçën’89.

“Trepça’89 dhe Gjilani kanë filluar dhe përfunduar njësojë kampionatin, ku në fillim kanë marrë shumë lojtarë nga jashtë e pa i parë nga afër për mënyrën se si ata luajnë, pastaj kanë ndërruar edhe trajnerët dhe nuk kanë arritur të qëndrojnë në pjesën e epërme të tabelës.

Gjilani në stinorin vjeshtor përfundoi i katërti në renditje por më pas erdhën ndërrimet e shumta tek trajnerët dhe humben koncentrimin dhe seriozitetin duke menduar se janë të sigurt në tabelë dhe nuk do të rrezikohen.

Ndërsa Trepça’89 në fillim nuk ishte përforcuar me lojtarë cilësorë dhe kjo thuajse është pritur edhe nga ta se do te rrezikohen ne fund”, vlerësoi ish futbollisti i Gjilanit tash trajner me grupmosha, Genc Sermaxhaj.

“Aq shumë kanë rrezikuar këto dy ekipe sa nuk e kanë të sigurt qëndrimin në Superligë kur do të përballen në barazh ndaj dy ekipeve shumë të forta si Vëllaznimi e Besa.

Image

Situatën në të cilën gjenden këto dy ekipe e sollën ata vetë duke bërë eksperimente gjatë zhvillimit të kampionatit, prandaj pasojat do t’i bartin vetë, por shpresoj të tregohen syçelë në ndeshjen vendimtare në barazh dhe të mbijetojnë”, ka përfunduar Genc Sermaxhaj.

(Kosova Sot Online)