Messi favorit, Van Dijk e Salah para Ronaldos!

  • 20 May 2019 - 17:21
Messi favorit, Van Dijk e Salah para Ronaldos!

Messi vazhdon të jetë favoriti numër një për “Topin e Artë” për vitin 2019. 10-shi i Barcelonës ndiqet nga Van Dijk, Salah, Ronaldo dhe Sterling.

Pavarësisht se Barcelona u eliminua nga Liga e Kampionëve, Lionel Messi vazhdon të jetë favoriti numër një për të rrëmbyer “Topin e Artë” për vitin 2019.

Ai ka shënuar 50 gola në 48 paraqitje dhe ka asistuar 22 herë për shokët e skuadrës, duke bërë një sezon fantastik, ani pse nuk arriti ta kthejë në “Camp Nou” trofeun e Champions Leaguee.

Që Messi të fitojë “Topin e Artë”, ka kuotën 1.50 nga bastoret më të mëdha në botë.

Në vendin e dytë është Virgil van Dijk me 2.87. Mbrojtësi i Liverpool ka qenë një nga protagonistët e përmbysjes së madhe ndaj Barcelonas në Champions League, duke u konfirmuar një nga qendërmbrojtësit më të fortë në botë – ani pse në ndeshjen e parë në Camp Nou, në humbjen 3-0, u “zhduk”.

Finalja e arritur për vitin e dytë radhazi nga Liverpool në Champions ka rritur edhe shanset e Mohamed Salah për të fituar trofeun prestigjioz.

Salah, që u rendit i gjashti vitin e kaluar, është favoriti numër 3 me kuotën 17, kurse më pas vijnë Cristiano Ronaldo, Kylian Mbappe dhe Raheem Sterling me kuotën (21.0).

(Kosova Sot Online)