Mbappe trazon ujërat, PSG me komunikatë zyrtare

  • 20 May 2019 - 19:53
Mbappe trazon ujërat, PSG me komunikatë zyrtare

Për PSG-në, Mbappe do të vazhdojë të qëndrojë në Francë. Ata kanë reaguar me një komunikatë pas lajmeve për largimin e mundshëm të 20-vjeçarit nga “Parc des Princes”.

“Kam mësuar shumë, është koha të marr më shumë përgjegjësi. Nëse ndodh te PSG, do jem i lumtur, në të kundërtën do të kërkoj një sfidë të re, te një klub me projekt”, këto fjalë të Kylian Mbappe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për përfundimin e sezonit, ndezi lajmet e të gjitha mediave në Evropë.

Një sinjal i fortë nga sulmuesi francez, që konfirmoi se mund të largohet nga Paris Saint-Germain dhe ndezi aludimet e para se ku mund të shkojë 20-vjeçari.

Real Madridi është klubi që e kërkon tash e një kohë francezin. Por, ende pa kaluar 24 orë, ka reaguar klubi me një postim në “Twitter”.

“PSG dhe Kylian Mbappe kanë pasur një lidhje të fortë në këto dy vite e gjysmë dhe historia do vijojë edhe sezonin e ardhshëm”, thuhet në një fragment të deklaratës së klubit parisian, që po përpiqet të shuajë të gjithë zërat që u përhapën në media gjatë ditës së hënë.

“El Chiringuito de Jugones” raporton se Mbappe është duke menduar seriozisht për një aventurë te re dhe mendjen e ka te Real Madridi i Zinedine Zidane.

Përveç, kësaj, u raportua se Mbappe mund ta ketë bërë këtë veprim edhe për disa qëllime tjera; të fitojë rinovimin e kontratës me kushte më të mira ekonomike, pasi tani për tani fiton 20 milionë më pak se Neymar Junior.

Ai dëshiron të jetë lideri i skuadrës, një sinjal ky për PSG-në se duhet ta largojnë Neymar Juniorin nga Parc des Princes.

Sido që të jetë, Mbappe e ka seriozisht dhe pritet të jetë një verë e nxehtë për të ardhmen e francezit që ka bërë 86 paraqitje për Parisin, ka shënuar 59 gola dhe ka fituar katër trofe.

(Kosova Sot Online)