Zyrtare: Mkhitaryan mungon në finale të Ligës së Evropës, arsyeja shumë e çuditshme

  • 21 May 2019 - 13:07
Zyrtare: Mkhitaryan mungon në finale të Ligës së Evropës, arsyeja shumë e çuditshme

Arsenali ka bërë të ditur se Henrikh Mkhitaryan do të mungojë në skuadrën e zgjedhur të trajnerit Unai Emery, për përballjen kundër Chelseat në finale të Ligës së Evropës, që do të zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit më 29 maj.

Së fundi ishte raportuar për rreziqet që mund t’i dilnin armenit Henrikh Mkhitaryanit nëse ai udhëtonte në Baku, për shkak të tensioneve politike mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për konfliktin Nagorno-Karabakh.

Drejtuesit e klubit tani kanë bërë të ditur se nuk do ta rrezikojnë futbollistin dhe ai nuk do të jetë pjesë e skuadrën që do të udhëtojë në Azerbajxhan më 29 maj.

“Jemi shumë të zhgënjyer të bëjmë të ditur se Henrikh Mkhitaryan nuk do të udhëtojë me skuadrën e tonë në finale të Ligës së Evropës kundër Chelseat”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga Arsenali.

“Ne i kemi shqyrtuar të gjitha opsionet për Mickin që të jetë pjesë e skuadrës, por pas bisedave me Mickin dhe familjen e tij, bashkërisht kemi vendosur që ai të mos udhëtojë me skuadrën”.

“I kemi shkruar UEFA-s për shqetësimet e tona të mëdha për këtë situatë. Micki ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tonë deri në finale, kështu që kjo është një humbje e madhe për ne”.

“Jemi gjithashtu të mërzitur që një lojtar do të mungojë në në finale të madhe evropiane për shkak të rrethanave të tilla, pasi që kjo është diçka në të cilën një futbollist rastis rrallëherë në karrierë”.

“Micki do të stërvitet bashkë me pjesën tjetër të skuadrës deri sa ne të largohemi për në Baku, në fundjavë”.

Mkhitaryan i ka bërë gjithsej 11 paraqitje në këtë sezon të Ligës së Evropës. Në këto ndeshje, ai ka kontribuar me tri asiste.

(Kosova Sot Online)