Skandal: Kosova, pa flamur në shortin për Botëror

  • 21 May 2019 - 14:52
Skandal: Kosova, pa flamur në shortin për Botëror

Në grupin prej 24 ekipeve kombëtare të hendbollit që morën pjesë në shortin për Kampionatin Botëror, vetëm Kosova u shfaq pa flamur.

Kombëtarja U21 e Kosovës në hendboll do të luajë në Grupin C në kampionatin botëror të juniorëve që gjatë korrikut mbahet në Spanjë. Në shortin e hedhur të martën, Kosova ka rënë në një grup me Portugalinë, Kroacinë, Hungarinë, Brazilin e Bahrejnin.

Është hera e parë që një kombëtare e Kosovës do ta paraqitet në Botëror, mirëpo ende nuk dihet nëse Spanja do ta lejojë Kosovën të përfaqësohet me simbole shtetërore, pasi që ajo e kundërshton fuqishëm pavarësinë e Kosovës.

Image

Shorti që u hodh në Pontevedra të Spanjës sugjeron se Kosovës mund të mos i respektohen të drejtat në këtë Kampionat Botëror, pasi që gjatë shortit vetëm Kosova nuk u përfaqësua me flamur shtetëror, për dallim nga kombëtaret e tjera.

Përderisa, emrat e 23 kombëtareve të tjera u shoqëruan me flamujt shtetërore afër, emri i Kosovës u shoqërua nga logoja e Federatës së Hendbollit të Kosovës.

Federata e Hendbollit të Kosovës ende nuk ka dhënë asnjë sqarim për këtë skandal, nëse ai ishte gabim teknik apo ishte diçka e paramenduar nga Spanja.

(Kosova Sot Online)