Gjithçka ose asgjë, pas City-t e ka radhën Dortmund-i

  • 21 May 2019 - 17:05
Gjithçka ose asgjë, pas City-t e ka radhën Dortmund-i

Pas "All or Nothing", të gjithë klubet kryesore të Evropës ëndërrojnë të jenë pjesë e një dokumentari me seri për të fituar (pothuajse) gjithçka? Suksesi i dokumentarit mbi sekretet e Manchester City-t, i xhiruar në sezonin 2017-18, ka shtyrë shumë skuadra të tjera të ofrohen dhe të fitojnë shuma të mëdha parash. Pas Premier League, trupa e "Amazon" është gati të zbulojë anën e fshehtë të një gjiganti të Bundesliga-s: a do të sjellë fat si në Angli?

Image

"Amazon Prime" ëndërron të përsërisë suksesin e madh të "All or Nothing" dhe ka vendosur të vërë bast për Borussia Dortmund. Sipas "Bild", klubi verdhezi ka pranuar të zbulojë sekretet e dhomës së zhveshjes. Dokumentari quhet "Behind the Scenes" (mbrapa skenës) dhe rrëfen sezonin 2018-19 të skuadrës gjermane nga një këndvështrim i veçantë: nga dhomat e zhveshjes, nga fusha e stërvitjes, nga zyra e trajnerit, por edhe nga autobusi i skuadrës.

Do të ketë hapësirë edhe për intervistë ekskluzive me lojtarët dhe stafin. Dokumentari do të ketë 4-6 seri dhe do ta ndihmojë klubin të fitojë 5 milionë euro.

Telekamerat e "Amazon" kanë pasur një akses të paprecedentë gjatë gjithë sezonit 2017/18 të Manchester City-t, që fitoi kampionatin dhe Carabao Cup atë vit. Dokumentari me tetë seri i ka sjellë fat klubit që këtë vit ka arritur të fitojë përsëri dy kompeticionet dhe të ngrejë Kupën e Anglisë, duke realizuar një "tripletë" historike.

Dokumentari i Dortmund-it do të shfaqet në gusht dhe do të rrëfejë ecurinë e skuadrës së Lucien Favre, që shkoi vetëm dy pikë larg fitores së titullit në Bundesliga. Do të ketë më pak momente të gëzueshme në kompeticionet e tjera: verdhezinjtë janë eliminuar nga Tottenham në 1/8-at e Champions League dhe nga Werder Bremen në raundin e tretë të Kupës së Gjermanisë.

A do të shkojnë më mirë gjërat sezonin e ardhshëm? Xhirimi i një dokumentari, siç tregon rasti i Manchester City-t të Guardiola-s, duket se sjell fat!

(Kosova Sot Online)