Mesazhi prekës i Hamiltonit pas vdekjes së Laudas

  • 22 May 2019 - 10:00
Mesazhi prekës i Hamiltonit pas vdekjes së Laudas

Kampioni botëror Lewis Hamilton i ka thënë lamtumirë Niki Laudas, i cili ndërroi jetë dje, duke thënë se ai ishte një dritë e shkëlqyer për të.

Niki Lauda, i cili e kishte fituar Kampionatin Botëror Formula 1 në vitet 1975, 1977 dhe 1984, vdiq dje, në moshën 70-vjeçare

Hamilton kishte punuar përkrah Laudas në ekipin e Mercedesit për Formula 1, ku vozitësi legjendar punonte si drejtor jo-ekzekutiv.

“Po e kam të vështirë ta besoj se ti ke shkuar. Do të më mungojnë bisedat tona, qeshjet tona, përqafimet e mëdha pasi i fitonim garat së bashku. Zoti e preftë në paqe shpirtin tënd”, shkroi Hamilton në Twitter.

“Faleminderit që ke qenë një dritë e shkëlqyer në jetën time. Unë do të jem gjithmonë këtu për familjen tënde, nëse ndonjëherë ata do të kenë nevojë për mua. Të dua”.

Lauda kishte garuar në gjithsej 171 gara të F1, duke i fituar 25 prej tyre dhe duke përfunduar në podium plot 54 herë.

Austriaku legjendar, njëri ndër personalitetet më të famshme në garat e veturave, e mori titullin e kampionit botëror me Ferrarin në vitet 1975 dhe 1977, si dhe McLarenin në vitin 1984

Pas karrierës së tij, ai u bë drejtor jo-ekzekutiv për ekipin e Mercedesit në Formula 1. Ai kishte qenë personi kryesor që e kishte sjellë vozitësin britanik, Hamiltonin, i cili është shpallur pesë herë kampion botëror. 

(Kosova Sot Online)