De Rossi luan ndeshjen e fundit në Olimpico

  • 22 May 2019 - 14:14
De Rossi luan ndeshjen e fundit në Olimpico

Stadiumi Olimpico në Romë do të jetë i mbushur tejpërtej për ndeshjen e fundit sezonale të verdhekuqve, kundër Parmës. Një ndeshje pa vlerë për renditjen, por është sfida e fundit që do të shohë Daniele De Rossin në fushë me ekipin ku është rritur.

Që të martën në mbrëmje ishin shitur 36 mijë bileta, ndërkohë që 22 mijë vende u shkojnë të abonuarve.

Që tani janë të garantuar mbi 60.000 tifozë në stadium dhe deri të shtunën pritet të shiten edhe vendet e mbetura. Kapiteni verdhekuq do të veshë për herë të fundit fanellën e Romës, por njëkohësisht do të inaugurojë fanellën e sezonit të ardhshëm për verdhekuqtë, që do të prezantohet në fundjavë.

Në stadium do të jenë edhe gjithë ish-shokët e tij tek grupmoshat e Romës, ata të vitlindjes 1983, që u rritën me De Rossin dhe më pas morën rrugë të ndryshme në jetë. Simone Beccaccioli është video-analist te Roma, Simone Pepe ka luajtur edhe me Juven në Serinë A, Cesare Bovo vijon të luajë dhe sapo ka festuar ngjitjen në Serinë A me Leccen, ndërsa shumë të tjerë nuk kanë vazhduar me futbollin, por kanë mbetur miq të ngushtë me De Rossin, për të cilin të dielën në Romë priten festime nga tifozët dhe një xhiro rreth fushës, por asgjë tjetër e madhe, me kërkesë të vetë mesfushorit.

(Kosova Sot Online)