Mbrojtësi i Liverpoolit i sigurt se do ta fitojnë Championsin

  • 22 May 2019 - 14:48
Mbrojtësi i Liverpoolit i sigurt se do ta fitojnë Championsin

Qendërmbrojtësi i Liverpoolit, Joel Matip, është i bindur se skuadra e tij mund ta përfundojë sezonin në mënyrë të mrekullueshme, duke e mposhtur Tottenhamin në finale të Ligës së Kampionëve.

“The Reds” arritën në finale të Ligës së Kampionëve, që zhvillohet më 1 qershor në “Wanda Metropolitano”, duke e përmbysur Barcelonën nga deficiti prej tri golash në ndeshjen e parë gjysmëfinale.

Ndërsa, Tottenhami e siguroi vendin tjetër në finale, duke e mposhtur Ajaxin në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm të barabartë, por u kualifikua në finale për shkak të epërsisë së golave të shënuar si mysafir.

Skuadra e Jurgen Kloppit e ka kaluar një sezon të mrekullueshëm edhe në Premierligë, ku e humbën vetëm një nga 38 ndeshjet e sezonit. Mirëpo, përkundër që Liverpooli i grumbulloi 98 pikë, Manchester City u shpall kampion për një pikë më shumë.

Tani, Matipi synon ta përfundojë këtë sezon të paharrueshëm për Liverpoolin duke triumfuar në finale të Ligës së Kampionëve, ku sezonin e kaluar pësuan disfatë kundër Real Madridit me rezultat 3:1.

“Ishte një sezon i mrekullueshëm dhe ne mund ta përfundojmë në të njëjtën mënyrë. Është ndeshja më e madhe e sezonit dhe ne do të bëjmë gjithçka të mundur për të fituar”, ka thënë Matip.

“Do të jetë një ndeshje plotësisht e ndryshme, ne e dimë se mund t’i mposhtim ata dhe mezi po e presim këtë ndeshje”.

(Kosova Sot Online)