Gattuson s’e kam më shok ekipi, para Juves mora një hap gjumi

  • 22 maj 2019 - 15:35
Gattuson s’e kam më shok ekipi, para Juves mora një hap gjumi

Është një moment mjaft delikat për Milanin, që të dielën do të luajë një ndeshje me shumë rëndësi në Ferrara ndaj Spalit, duke pasur mendjen edhe tek Interi dhe Atalanta, sepse duhet që të gabojë një prej tyre, që Milani të shkojë në Champions.

Drejtori strategjik i zonës sportive, Paolo Maldini ka dhënë një intervistë për DAZN, ku ka folur për zhvillimet e fundit, por edhe për të shkuarën.

Marrëdhënia me Gattuson: “Duhet të kesh respekt për personin që ke përballë. Jemi të dy pjesë e Milanit për të bërë të mundur që gjithçka të funksionojë mes nesh: pikëpamjet mund të jenë të ndryshme, por marrëdhënia jonë na ndihmon të kalojmë edhe momentet e vështira. Punën e tij duhet ta vlerësoj me gjakftohtësi. Kemi role të ndryshme, nuk jemi më shokë ekipi”.

Roli i Maldinit: “Drejtor strategjik i zonës sportive të Milanit është një titull që mund të shpjegojë shumë, ose asgjë… Leonardo ka marrë rolin e një drejtuesi shumëplanësh, më shumë se një drejtor sportiv, dhe më kërkoi ta shoqëroja në këtë aventurë. Përkufizimi i rolit ka pak rëndësi, kryesorja është që jemi në krye të zonës sportive. Është një sfidë e bukur, jeta ime sportive ka qenë gjithnjë e lidhur me ngjyrat kuqezi, me Milanon, ndaj është mbyllja e një qarku”.

Image

Objektivat e ardhshme: “Duam të kemi një Milan që të kthehet protagonist. Do duhet pak kohë, por ideja është të kemi një stadium tonin, ndoshta në bashkëpronësi me Interin, por të një niveli shumë të lartë, një projekt afatgjatë”.

Momentet e stresit kur ishte lojtar: “Një moment stresi që duhej administruar në skuadër? Më vjen ndërmend nata para finales në Champions kundër Juventusit, në Manchester. U kthyem në finale pas 9 vitesh mungesë, shumë shokë skuadre e luanin për herë të parë: u shtira sikur isha njeriu më i qetë në botë dhe më pyesnin: ‘Paolo, si dreqin ia del të jesh kaq i qetë?’, dhe unë përgjigjesha: ‘Eh, më është bërë zakon tani’. Megjithatë, përbrenda vloja,edhe pse ia dola ta administroj atë presion. Habiteshin që flija, por në të vërtetë piva ilaçe gjumi. Janë gënjeshtra të vogla, që i japin siguri grupit”.

Daniel Maldini te Milani Primavera – “Për herë të parë dinastia Maldini ka një fantazist, është i vetmi që di të luajë si mesfushor ofensiv, të shënojë gola. Në karakter më ngjan pak, pastaj në lëvizje duket prejardhja, sepse edhe tek unë shihnin lëvizjet e babait tim Cesare, kur debutova”.

(Kosova Sot Online)