Ylli i Arsenalit e ndihmoi Chelsean ta transferojë Pulisicin

  • 22 May 2019 - 15:51
Ylli i Arsenalit e ndihmoi Chelsean ta transferojë Pulisicin

Christian Pulisic ka zbuluar se ishte konsultuar me sulmuesin e Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyang, para se të vendoste të transferohej në Chelsea.

Futbollisti amerikan nënshkroi kontratë me Chelsean në janar të këtij viti, për 58 milionë funte, pastaj iu ribashkua Borussia Dortmundi në formë huazimi deri në fund të sezonit.

Pulisici tashmë e ka përfunduar sezonin e tij me Dortmundin dhe këtë javë ka qenë në Angli, para se të kthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kupën e Artë të kësaj vere me ekipin kombëtar.

Pasi që dënimi i FIFA-s bën që Chelsea të mos ketë të drejtë të transferojë lojtarë gjatë dy afateve kalimtare të radhës, Pulisici mund të mbetet i vetmi përforcim në skuadrën e Chelseat për sezonin e ardhshëm.

Kur po e komentonte transferimin e tij në Chelsea, Pulisic tha se ai kishte biseduar me sulmuesin e Arsenalit, Aubameyangun, për jetën në Londër dhe për Premierligën para se ta nënshkruante kontratën.

“Kur më erdhi mundësia për t’u transferuar në Chelsea, unë e telefonova atë. Edhe pse Pierre-Emerick e la Dortmundin për Arsenalin, ne mbetëm shokë. Kam folur disa herë me të që kur u transferua në Arsenal”, ka thënë Pulisic.

“Unë e pyeta se si është jeta në Londër dhe gjëra të tilla. Atij i pëlqen shumë jeta këtu. Ai është një djalosh të cili i pëlqejnë qytetet e mëdha, ju mund ta shihni këtë. Ai më ka treguar për disa vende të cilat mund t’i shoh”.

(Kosova Sot Online)