Angli – Kosovë: Shiten të gjitha biletat

  • 22 May 2019 - 16:52
Angli – Kosovë: Shiten të gjitha biletat

Ndeshja kualifikuese për Kampionat Evropian mes Kosovës dhe Anglisë duket të ketë zgjuar interesim shumë të madh në Britaninë e Madhe, pasi tashmë janë shitur të gjitha biletat për këtë takim, hiç më pak se katër muaj para se ai të zhvillohet në juglindje të vendit, njofton Federata e Futbollit e Anglisë (FA).

Anglia e pret Kosovën në stadiumin e Southamptonit me 32 mijë ulëse – St. Mary’s Stadium – më 10 shtator në atë që do të jetë ndeshja e rundit të gashtë të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Në një postim në llogarinë e vet zyrtare në rrjetin social Twitter, Anglia ka njoftuar se janë shitur të gjitha biletat dhe i ka falënderuar tifozët për përkrahjen.

“Shiten të gjitha biletat në St. Mary’s! Ndeshja jonë kualifikuese për EURO 2020 do të luhet para një stadiumi të mbushur në Southampton. Faleminderit për përkrahjen tuaj të shkëlqyer”, thuhet në njoftimin e Anglisë.

Por para se ta vizitojë Anglinë për herë të parë në histori, Kosova do t’i zhvillojë tri ndeshje kundërshtarëve të tjerë në grup.

Image

“Dardanët” do të luajnë në udhëtim kundër Malit të Zi më 7 qershor dhe ndaj Bullgarisë më 10 qershor po ashtu, para se ta presin Republikën e Çekisë më 7 shtator në Fadil Vokrri.

“Tre luanët” janë lider të grupit me gjashtë pikë, pas dy fitoreve në po aq ndeshje, dhe ndiqen nga Bullgaria që ka dy pikë në po aq ndeshje.

Kosova, ndërkohë, renditet e treta me një pikë pas barazimit 1:1 me Bullgarinë në ndeshjen e parë dhe debutuese në një fushatë kualifikuese për Kampionat Evropian.

Grupin e mbyllin Mali i Zi në vendin e katërt me një pikë pas dy ndeshjeve dhe Republika e Çekisë pa pikë. Kjo e fundit, megjithatë, si Kosova e ka zhvilluar vetëm një ndeshje.

(Kosova Sot Online)