Guardiola, në rrugë për t’u bërë trajneri më i suksesshëm i të gjitha kohëve

  • 23 May 2019 - 09:20
Guardiola, në rrugë për t’u bërë trajneri më i suksesshëm i të gjitha kohëve

Pep Guardiola është në rrugën e duhur për t’i thyer të gjitha rekordet e vendosura para tij në botën e trajnerëve. Suksesi i Guardiolës, i paarritur ndonjëherë më parë, me katër trofetë vendore këtë sezon ka bërë që ai t’i arrijë 27 trofe gjatë karrierës si trajner, që e nisi me Barcelonën në sezonin 2008/09.

Rekordi i tij si trajner e vendos atë të katërtin në listën e trajnerëve më të trofeshëm në histori. Vetëm Sir Alex Ferguson (48), Mircea Lucescu (32) dhe Valeriy Lobanovksyi (29) janë para Guardiolës.

Është e vërtetë se katalonasi është ende larg skocezit Ferguson, mirëpo ai ka kohë për ta arritur rekordin e tij pasi që karrierën e filloi vetëm para dhjetë vjetëve. Me mesataren e tij prej 2.7 trofeve për sezon, atij i duhen vetëm edhe tetë sezone si trajner për ta arritur Fergusonin.

Një karrierë e gjatë duket se do t’ia garantojë Guardiolës vendin e parë në listën prej trajnerëve më të trofeshëm të të gjitha kohëve, por ai nuk planifikon ta vazhdojë karrierën për aq gjatë sa Fergusoni.

“Unë nuk do të jem trajner në moshën 60 apo 65-vjeçare”, kishte thënë Guardiola për NBC.

Trajnerët e tjerë më të suksesshëm

Askush nuk ka fituar më shumë trofe sesa Sir Alex Fergusoni. 48 trofe në 38 sezone, dhe legjenda kishte filluar gjithçka në vendlindjen e vet. Që kur ai e fitoi titullin në Skoci me Aberdeenin në sezonin 1984/85, askush s’ka arritur më shumë ta prishë duopolin Rangers-Celtic.

Në Manchester United, atij iu nevojitën katër vjet për të marrë trofe, por pastaj ai sfidoi gjithçka dhe 13 titujt e tij në Premierligë bën që “Djajtë e kuq” ta kalojnë edhe Liverpoolin në podiumin e klubeve më të suksesshme në Angli.

32 trofetë e Lucescut është gjithashtu mbresëlënës dhe përkundër që është 73-vjeçar, ai nuk duket se dëshiron të pensionohet.

Ndërsa, Lobanovskyi vdiq në detyrën e tij si trajner më 7 maj të vitit 2002, për shkak të një sulmi në zemër. Ai ishte 63-vjeçar.

(Kosova Sot Online)