Interi kërkon Lukakun dhe Moses

  • 23 May 2019 - 10:17
Interi kërkon Lukakun dhe Moses

Interi dëshiron t’ia dhurojë trajnerit të ri që pritet ta marrë drejtimin e skuadrës, Antonio Contes, transferimin e Romelu Lukakus së Manchester Unitedit dhe Victor Mosesit të Chelseat.

Sky Sports raporton se që të dy lojtarët janë në listën e lojtarëve që i dëshiron në Inter Antonio Conte, i cili ka punuar me Victor Moses në Chelsea dhe kishte tentuar ta transferonte edhe Romelu Lukakun në Chelsea në vitin 2017, para se belgu ta zgjidhte Manchester Unitedin.

Megjithatë, një marrëveshje për Moses mund të jetë e komplikuar pasi që nigeriani në janar kishte arritur marrëveshje me Fenerbahçen për të qëndruar atje në formë huazimi për 18 muaj.

Për këtë arsye, Interi do të duhet të negocionte me klubin turk për ta marrë Mosesin, por edhe me Chelsean.

Ndërsa, Lukaku ka qenë i përfolur tash e një kohë të gjatë si sulmuesi i ri i Interit, pasi që besohet se ai mund ta zëvendësojë Mauro Icardin.

26-vjeçari nuk e ka mbajtur aspak sekret dëshirën e tij për të luajtur në Itali një ditë.

Gazzetta dellio Sport pretendon se zikaltrit ia kanë ofruar Manchester Unitedit 30 milionë euro dhe Ivan Perisicin për Lukakun. “Djajtë e kuq” thuhet se janë duke e shqyrtuar këtë ofertë. 

(Kosova Sot Online)